Aktuale
MKRS zhvendoset në Prizren, në ish-objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit

Qyteti kulturor i Prizrenit është bërë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngaqë sot me një ceremoni solemne është bërë zhvendosja e kabinetit të ministrit dhe dy departamenteve që do të funksionojnë në këtë qytet, përkatësisht i Kulturës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore.
Zyrat e kësaj Ministrie kanë zënë vend në ish-ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit në sheshin Shatërvan, e cila është rinovuar për nevojat e MKRS-së.
Për kryeparlamentarin Kadri Veseli, Prizreni prej sot do të ketë qendrën e vet kulturore.
Sipas tij, Prizreni është traditë dhe identitet i shqiptarëve, por dhe të njëjtën kohë është gërshetim i kulturave të ndryshme. Ai po ashtu bëri të ditur se në Prizren do të ketë dhe institucione tjera që do të zhvendosen.
“Prej sot Prizreni do të ketë qendrën e vet, do te jetë dhe qendër administrative shtetërore, do të jetë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prizren. Për aq sa ky nuk do të jetë i vetmi institucion i cili do të vije nga qeveria e Republikës së Kosovës. Në Prizren do të vijnë dhe shumë asociacione të tjera të cilat do të jenë nga institucionet qendrore. Nuk është vetëm premtim i momentit për vet faktin se nuk kemi premtim elektoral, por do të kemi dhe ministri të tjera të cilat do të vijnë në Prizren. Prizreni është gërshetim është traditë, identitet i joni si popull shumicë i shqiptarëve. Por të njëjtën kohë është një gërshetim i kulturave të ndryshme, keni parasysh se nuk ka vend po thuajse në Evropë ku gërshetohen religjionet në mënyrë më të shkëlqyeshme se sa në Prizren”, tha ai.
Ndërsa, për ministrin e këtij dikasteri, Kujtim Gashi kjo zhvendosje nënkupton se Ministria që ai kryeson do të jetë më afër festivaleve, rinisë dhe sportit.
“Sot kryeqyteti i kulturës merr dhe epitetin e një qyteti administrativ sepse atë që lidhja shqiptare e Prizrenit nuk arrinte të bënte e bëri realitet qeveria e Kosovës, shteti jonë dhe premtimi i kryetarit Veseli. Nga sot Ministria e Kulturës do të jetë afër festivaleve kulturore dhe afër traditës sportive për t’i mbështetur ato. Të njëjtën kohë për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgimin e pasur kulturore”, deklaroi ministri Gashi.
Bartja e një pjese të Ministrisë së Kulturës në Prizren ishte premtim i ministrit Gashi që kur kishte marr mandatin në vitin 2017.
