Aktuale
Mirënjohje zyrtare nga Shqipëria për Inxhinierët Vullnetarë nga Kosova
Puna që bënë inxhinierët vullnetarë të Kosovës për inspektimin e shkollave dhe banesave në Shqipëri po ju falënderohet edhe zyrtarisht.
Në hollin e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, inxhinierët kosovarë ishin ftuar që të merrnin një certifikatë mirënjohje dhe të qëndronin bashkë në ndejë.
Ishte vet ministrja Besa Shahini ajo që ndante certifikatat e mirënjhohjes.
“Ne kur i hapëm edhe shkollat e fundit me nëntë dhjetor, ishte hera e parë që morëm frymë pakëz më lirshëm sepse ne e dinim se për shkollat të cilat kishin marrë “okay” nga inxhinierët vullnetarë që kishin ardhur nga Kosova, kishim gjithë vetëbesimin e mundshëm që t’i themi edhe prindërve se jemi në rregull dhe këtu mund t’i vendosim nxënësit. Jam shumë falënderuese dhe donim vetëm ta bënim një festë të vogël simbolike me i falënderu për gjithë punën, për organizimin, për profesionalizmin dhe për ndihmën e pashpjegueshme që kanë dhënë për neve dy javët e para të krizës së pas-tërmetit”, ka thënë Shahini.
Ndër organizatorë të këtij aksioni me logjistikë ishte Ndërmarrja Publike Banesore e Prishtinës, për çka tregon dhe drejtuesi i saj Drilon Pireva, se si organizimi shkoi aq shpejt.
“Janë inxhinierët e parë që kane mbërritur në Tiranë, inxhinierët e parë të shteteve përreth dhe ka filluar puna për ta tejkaluar fazën emergjente për të cilën ka pasur shumë nevojë që me e tejkalu sa më shpejtë”, u shpreh Pireva.
Nga inxhinierët pjesëmarrës kjo mirënjohje vlerësohej tej mase dhe konsiderohet një shenjë që duhet ruajtur me fanatizëm.
“Ndihem i lehtësuar edhe jam i ngazëllyer se kjo punë u krye me sukses. Është faza emergjente e cila u krye, u bë spontane, ishte një thirrje që e bëri SHASH-i dhe ne u përgjigjëm shpejtë”, tha Ilir Blakaj.
“Po e ndjej vetëm shumë mirë, shume krenarë, për arsye se në shumë aspekte të këtij aksioni që është ndërmarrë janë trajtuar dhe i kemi kaluar, edhe aspektin human-njerëzor, elementarin, edhe aspektet profesionale edhe takimet me kolegë të cilët ndoshta si kemi njohur apo i kemi njohur e si kemi takuar, edhe vetë shoqërinë edhe vetë të qenit pjesë e një tërësie siç jemi si popull. Njeriu kur ka një hall, i veti i pari i përgjigjet e për atë krahas shokëve vëllazëror prej Kosovës isha edhe unë pjesë e këtij aksioni”, u shpreh Fatmir Dervishi, inxhinierë nga Ulqini.
Ky njihet një prej aksioneve më të mëdha vullnetare të profesionistëve nga Kosova, që u organizua nga Asociacionet e Arkitektëve, Komuna e Prishtinës, Ndërmarrja Publike Banesore dhe vullnetarë tjerë./Ndërtimi.info/