Aktuale
Mirëmbajtja e Parkut të Biznesit në Drenas po del problem

Edhe për një kohë Parku i Biznesit në Drenas do të mbetët pa mirëmbajtje.
Kjo meqë operatorët ekonomik vazhdojnë të kenë ankesa për dhënien e këtij tenderi nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Tender që kap vlerën e hiç ma pak se 44 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info
Për tenderin “Mirëmbajta e Parkut të Biznesit në Drenas” që ishin planifikuar 62 mijë euro po ka sërish ankesa në Gjykatën e Tenderëve.
Ani pse një muaj më parë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte kthyer në rivlerësim këtë aktivitet të prokurimit. Megjithatë në adresë të OShP-së është dorëzuar edhe një ankesë nga operatori ekonomik N.P.Sh. “Doni Term”.
Kjo kompani po pretendon se Ministria e Industrisë dhe Tregtisë (MTI) si Autoritet Kontraktues në dhënien e këtij tenderi nuk ka respektuar nenin 6 që ka të bëjë me ekonomicitetin, nenin 7, barazia dhe trajtimi, nenin 59 shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave, neni 60, aftësia teknike dhe profesionale si neni 72 i cili ka të bëjë me dokumente dhe informacione shtesë.
OShP për të njoftuar për anulimin e dhënies së tenderit i janë nevojitur rreth tetë faqe dokument, ku tregohen arsyet për anulimin e dhënies së kontratës dhe kthimin e lëndës në rivlerësim.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të OSHP-së, kontrata është anuluar pas ankesës kundër dhënies së kontratës që ka bërë kompania “Doni Term”, pasi që kjo kompani pretendon se i ka përmbushur kërkesën e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ankesë kjo që është aprovuar si e bazuar nga OSHP-ja. Kjo kompani e kishte bërë këtë ankesë duke pretenduar se ka shkelje në nenin 6, 7, 59, 60, 69.4 dhe 72 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
Për këtë rast Eksperti Shqyrtues- profesional në lidhje me pretendimet e kompanisë “Doni Term”, që pretendon se i përmbushë kërkesën e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë, ka konstatuar se ky operator në ofertën e tij si dëshmi ka ofruar dy kontrata dhe raporte të komisionit për pranimin e punëve me numër të njëjtë të prokurimit siç ka edhe ky autoritet i prokurimit.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar “për arsyen që u cekura më lart tek përgjigjet), të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
