Aktuale
Miratohet Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës

Shumë prona të paluajtshme nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, që deri më tani ishin nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), tani do të kalojnë në pronësi të vet komunave përkatëse.
E gjithë kjo pasi që Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, të premten i është dhënë “drita e gjelbër”, nga kabineti qeveritar në mbledhjen e Qeverisë, shkruan Ndërtimi.info.
Një prej komunave së cilës iu aprovuar kërkesa për kthimin e pronave dhe tërheqjen e tyre nga procesi i privatizimit, është ajo e Suharekës.
Komuna e Suharekës kishte bërë kërkesë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të Ndërmarrjes Shoqërore IGK “Ballkan” – Suharekë në pronësi të komunës.
Tash, hapësira gjigante industriale që dikur ishte menduar dhe filluar të punohet për të qenë fabrikë përcjellëse e BALLKAN-it, ka kaluar në pronësi të Komunës së Suharekës.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka aprovuar edhe gjashtë propozime të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesit i privatizimit të pronave të paluajtshme dhe dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme, për realizimin e interesit publik sipas kërkesave të komunave të Gjilanit, Ferizajt, Suharekës, Skenderajt, Deçanit, Junikut e Hani i Elezit
Në këtë mbledhje u tha se projektligj siguron shfrytëzimin efektiv të pronës së paluajtshme, krijon mundësi për këmbimin e pronës dhe përfitimin e të drejtës së pronësisë mbi pronat të cilat administrohen nga institucionet e shtetit, si dhe rregullon procedurën për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronave të paluajtshme të komunave si dhe bartjen e pronësisë së pronave të cilat administrohen nga AKP në pronësi të komunave./Ndërtimi.info
