Aktuale
Miratohen planet rregulluese tek Fakulteti Teknik dhe Bllokut A1 në lagjen Dodona

Mes përplasjesh, është mbajtur seanca e parë e Kuvendit Komunal të Prishtinës për këtë vit.
Aty u miratuan propozim-vendimet për fillimin e hartimit të dy planeve rregulluese të hollësishme, atë te Fakulteti Teknik në lagjen “Bregu i Diellit” dhe te Blloku A1 në lagjen “Dodona”, raporton KTV.
Drejtori për Planifikim Strategjik, Genc Bashota, ka thënë se gjendja e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore është e rëndë. Andaj ka dalë me propozimin që ky fakultet dhe ai ekonomik, të zhvendosen afër Fakultetit Teknik.
Bashota ka thënë se kanë mundësi të hartojnë plane të hollësishme rregullative dhe të njëjtat, pastaj të inkorporohen në hartën zonale.
Ndaj idesë së zhvendosjes së fakulteteve, ka reaguar asamblisti i LDK-së, Shefki Gashi, i cili ka thënë se me këtë po jetësohet ideja e nënkryetarit Selim Pacolli, për zhvendosje të kampusit univeristar nga qendra.
Halim Halimi vlerësoi se miratimi i planeve rregulluese të hollësishme pa hartë zonale është shkelje ligjore, megjithatë partia e tij dha votat pro.
Këto plane rregulluese kanë përplasur asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje nëpërmjet telefonit, ka thënë se do të shqyrtojë vendimin e Kuvendit Komunal dhe se gjatë kësaj jave do të dalë me një përgjigje.
Në këtë seancë, asamblistët votuan pro dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, Bashkësisë Islame të Kosovës, kompanisë rajonale “Pastrimi”, ndërmarrjes “Hortikultura” dhe KFOR-it.
