Aktuale
Ministrja Reshitaj mobilizon një ekip për rastin e degradimit të Bjeshkës në Deçan
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka premtuar se do të punojë për ndalimin e degradimit të bjeshkëve të Deçanit. Madje, sipas saj kanë filluar punët në këtë drejtim.
Alarmin për degradimin e bjeshkëve të Deçanit e ka ngritur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, të cilin ministrja Reshitaj e ka ftuar së bashku t’i dalin në mbrojtje ambientit në Deçan.
Ky është postimi i plotë i saj:
Me shqetësim mora njoftimin e deputetit Zemaj mbi gjendjen momentale të Mjedisit në Komunën e Deçanit.
Natyra e Kosovës është thesari ynë, krenaria dhe përgjegjësia jonë qytetare e institucionale.
Si ministre e re e MMPH-së, ju garantoj për përkushtimin tim maksimal në ndërmarrjen e të gjitha masave që do të ndikojnë pozitivisht në ndalimin sa më të shpejtë të çdo degradimi që mund t’i bëhet Mjedisit në Deçan e komuna tjera. Tashmë kam kontaktuar personat përgjegjës dhe po presim informata përmes kanaleve zyrtare duke mos hezituar asnjëherë që edhe personalisht të njihem për së afërmi me problematika të tilla.
Ndërkohë, i nderuar deputet Zemaj, dhe të gjithë ju qytetarë të Deçanit, ju lus,që bashkarisht t’i dalim në mbrojtje ambientit, bukurive të Deçanit dhe gjithë vendit tonë. Vetëm me një bashkëpunim të sinqertë mes qytetarit dhe institucioneve mund të arrimë rezultate konkrete në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.


