Infrastrukturë
Ministria thotë se rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme, por kërkohet kujdes

Bora e dendur që po bie që nga mëngjesi, ka bërë që në rrugët nacionale dhe rajonale të vështirësohet qarkullimi, por falë intervenimeve të kompanive mirëmbajtëse, rrugët janë të kalueshme, kurse kërkohet nga të gjithë ngasësit që të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’i kenë me vete pajisjet dimërore.
Kështu ka thënë ministria e Infrastrukturës përmes një komunikate dërguar mediave, ndërsa shton se gjendje pak më e vështirësuar është në Brezovicë.
“Gjendje pak më e vështirë është në Brezovicë, ngase ka një fluks të shtuar të pjesëmarrësve në trafik, që po vizitojnë këtë pjesë të vendit dhe si pasojë edhe kompanitë e mirëmbajtjes po kanë vështirësi në intervenim si pasojë e komunikacionit të dendur, mirëpo është kërkuar ndihma e Policisë së Kosovës për ta drejtuar trafikun, në mënyrë që kompanitë të kenë qasje për të vepruar në tërë segmentin e rrugës”, ka thënë kjo Ministri në njoftimin për media.
Ministria e Infrastrukturës po ashtu njofton se në të gjitha rrugët tjera, edhe përkundër borës së dendur dhe trafikut të ngarkuar, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve po bëjnë çdo gjë që është e nevojshme, në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme.
“Deri më tani intervenime ka patur në të gjitha rrugët e vendit, duke u hedhur krip dhe rërë atyre, në mënyrë që të garantohet lëvizje e lirë dhe qarkullim i sigurt”, shton më tej MI.
Ministria e Infrastrukturës u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të lëvizin me kujdes dhe të kenë me vete pajisjet dimërore, në mënyrë që të evitohen aksidentet dhe bllokadat e mundshme në rrugë.
Ministria e Infrastrukturës po ashtu, mbetet e përkushtuar që të sigurojë rrugë të sigurta dhe të kalueshme edhe përkundër kushteve të rënduara atmosferike.
