Aktuale
Ministria shkel procedurat, institucioni i trashëgimisë pa drejtor

Ismet Hajrullahu nuk ia kishte dalë që si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës t’i fitonte votat për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Lipjanit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit vitin e kaluar. Kishte marrë vetëm 6.161 vota. Ishte mposhtur nga kundërkandidati i tij, Imri Ahmeti, i cili kishte marrë 17 mijë e 19 vota.
Por ende pa u bërë një vit nga zgjedhjet, Hajrullahu i kishte hyrë një gare tjetër. Kësaj radhe për t’u bërë drejtor i një institucioni nën vartësi të Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Kujtim Gashi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këtë rast, në mesin e 15 kandidatëve, Hajrullahu ia kishte dalë të ishte i pari. Fiks 88 pikë kishte marrë nga Komisioni i MKRS-së i themeluar për t’i vlerësuar kandidatët për drejtor të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Bile, konkursi i hapur për këtë pozitë më 20 prill nuk kishte përfunduar si procedurë deri më 7 qershor, kur MKRS-ja e ka njoftuar se Hajrullahu ishte zgjedhur në këtë pozitë.
Sipas burimeve të gazetës, procedura ishte ngadalësuar sherri i problemeve shëndetësore të kandidatit Ismet Hajrullahu. MKRS-ja priste që Hajrullahu të ishte në gjendje shëndetësore për të marrë pjesë në test me shkrim e intervistë. MKRS-ja në këtë rast kishte mbyllur sytë para procedurave që duhej ndjekur me secilin kandidat, pasi kishte intervistuar Hajrullahun edhe pse diploma e tij nuk është e nostrifikuar në Kosovë.
E pikërisht me këtë arsyetim, MKRS-ja shpeshherë ka diskualifikuar kandidatët për drejtorë institucionesh.
Zeni Ballazhi më 2015 ishte diskualifikuar nga gara për drejtor të Galerisë Kombëtarë të Kosovës, pikërisht me arsyetimin se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar.
Por në rastin e Hajrullahut, me këtë çështje është duke u marrë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas burimeve të gazetës me arsyetimin se është shkelur “parimi i meritës”, ky organ pas monitorimit të procesit do ta shpallë të pavlefshme krejt procedurën.
