Aktuale
Ministria pa asnjë kallëzim penal për shkatërrimet e monumenteve

“Kulla e Demë Ahmetit” dhe “Shtëpia e banimit” afër saj në fshatin Reçicë të Podujevës, janë dy monumente që janë rrafshuar nga Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale.
Rrënimi i tyre është bërë në shtator të vitit të kaluar, pa pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Por pavarësisht se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore sanksionohet me Kod penal, organet e drejtësisë nuk janë marrë me këtë rast, shkruan sot “Koha Ditore”. E as institucionet e trashëgimisë në krye me Ministrinë e Kulturës nuk kanë bërë asnjë kallëzim penal, ani pse e kishin paralajmëruar një hap të tillë.
Më 22 nëntor të vitit të kaluar, Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, do t’u kërkonte institucioneve vartëse të MKRS-së dhe Departamenti ligjor i këtij institucioni që të bëhen kallëzime penale për rastet ku ndërhyrjet në monumente bëhen pa autorizim.
“Duke iu referuar njoftimeve të QRTK-së në Prizren si dhe institucioneve të tjera të trashëgimisë kulturore, të cilat kanë njoftuar për shkelje të Ligjit për trashëgimi kulturore nga personat fizikë dhe juridikë, kërkoj që në bashkëpunim me Zyrën ligjore të MKRS-së të inicioni procedurën për kallëzime penale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkruhej në shkresën elektronike që Hoxha ia kishte dërguar drejtoreshës së Departamentit të trashëgimisë kulturore në MKRS, Vjollca Aliut, dhe Departamentit Ligjor. Prej kur është shkruar kjo shkresë kanë kaluar më shumë se 100 ditë, por MKRS-ja nuk ka bërë as edhe një kallëzim penal, përderisa rastet e ndërhyrjeve pa leje në monumente janë të shpeshta.
