Aktuale
Ministria mohon se “Bechtel & Enka”-s i është zgjatur afati për përfundimin e autostradës për Shkup

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka mohuar se kompanisë “Bechtel & Enka” i është zgjatur afati për përfundimin e punimeve në ndërtimin e autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”.
Reagimi i ministrisë vjen pasi Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), bëri të ditur s epërmes një ankes kontrate kompanisë i është zgjatur afati, për përfundimin e punimeve, për 152 ditë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thotë se aneks kontrata është nënshkruar për të përcaktuar afatet e pagesës së penalltisë 53 milionë euro, ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”.
“Kontrata për realizimin e Projektit të autoudhës ‘Arbën Xhaferi’ ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018. Duke parë se një gjë e tillë është e pamundur, për shkaqe të njohura tani për publikun, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 27 shtator 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë. Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 milionë euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me datë 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019”, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Për këtë, ministria thekson se nuk është e saktë se është zgjatur afati për përfundimin e punimeve në autostradë.
“Prandaj, nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës ‘Arbën Xhaferi’, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate. Këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët”, thuhet tutje në kumtesë.
MIT thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të dispozitave kontraktuale dhe mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës.
Sipas ministrisë, ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, kërkon nga mediat dhe organizatat jo qeveritare të mos keq informojnë qytetarët dhe të interpretojnë dokumentacionet në mënyrë të saktë dhe të drejtë.
Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot përmes një komunikate për media, ndër të tjera, theksoi se ka siguruar aneks kontratën përmes të cilës zgjatet afati për përfundimin e autostradën “Arbën Xhaferi”.
