Featured
Ministria lavdërohet edhe përkundër kritikave për tenderët e mirëmbajtes së rrugëve

Vonesat e procedurave të prokurimit për tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve po shihet shqetësuese nga ana Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Demokracia Plus. Por përkundër kritikave, Ministria e Infrastrukturës po lavdërohet se mirëmbajtja e rrugëve në qeverisjen aktuale është shumë më e mirë se sa në qeverisjet e kaluara.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI në emisionin Plus të ktv me temë për sigurinë dhe mirëmbajtjen e rrugëve ka thënë se veç vonesave në përcaktimin e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve është edhe se të njëjtat kompani fitojnë tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Shqetësimi i vazhdueshëm është se janë të njëjtit operatorë ekonomik që i fitojnë tenderët për mirëmbajtje të rrugëve. Eventualisht nëse e ndërron njëri rajonin, por gjithmonë janë të njëjtit operator”, tha Metushi-Krasniqi.
Se kompanitë fituese të tenderëve për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë janë po të njëjtat që nga paslufta e ka thënë edhe Isuf Zejnaj nga Demokracia Plus të cilët monitorojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Ai ka theksuar se si monitorues këtë gjë e shohin si indikator të korrupsionit.
“Po thuajse që nga paslufta kemi një numër të kompanive që në vazhdimësi i fitojnë këto kontrata dhe tashmë është e vështirë një kompani e re me hy në këtë mes. Ne kemi pas një ankesë që janë përshtat kushtet. Ne si monitorues të prokurimit këtë e shohim si indikator të korrupsionit nuk mund të themi ndoshta keq se këto kompani i kanë këto kapacitetet por nëse për një kohë të gjatë iu jepet tenderi ekziston rreziku që vetëm këto kompani t’i krijojnë kapacitetet. Kemi pas disa kërkesa të cilat janë dukur se janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. E para siguria e tenderit është kërkuar prej 10 për qind e ligji e kërkon për 3 për qind. Këtu kemi edhe një probleme më të madh. Problemi është vonesa në dhënie. Kjo ndodhë për shkak të ankesave. Mirëpo kur OSHP e kthen një lëndë në rishqyrtim, por edhe OSHP vonohet por edhe Ministria, e cila ka vonesa të mëdha në rivlerësim”, tha Zejnaj.
Ndërkaq, drejtori i Departamentit për mirëmbajtjen e rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës Skënder Gashi ka thënë se edhe përkundër se buxheti për mirëmbajtjen e rrugëve ka qenë i ulët, ministria ka arritur të mirëmbajë rrugët.
Këtu Gashi theksoi që janë 10 milionë euro që jepen për mirëmbajtjen e rrugëve, derisa sipas tij, minimumi i një mirëmbajtje adekuate do të ishte 25 milionë euro.
“Mund të themi si MI në aspektin organizativ e ka mjaft të mirë në aspektin e mirëmbajtjes së rrugëve. Ne i kemi 7 regjione të mirëmbajtjes. Kemi
Diku 10 milionë euro, që unë konsideroj shumë modeste për mirëmbajtjen e rrugëve i ka veç ministria. Ndërsa 25 milionë do të ishte shuma adekuate për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve”, tha Gashi.
Ndërkaq zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu është arsyetuar për përzgjedhjen e njëjtë të kompanive duke thënë se një gjë e tillë ndodhë meqë kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve kryejnë punë specifike.
“E dëgjova zotëri Zejnaj, mirëpo këto nuk qëndrojnë. Sa i përket se kriteret bëhen për një kompani duhet të ketë porosi Zejnaj dhe qytetarët duhet me ditë që kompanitë e mirëmbajtjes kryen punë specifike sepse nuk mundesh me përgatit një kompani brenda një muaji. Ato që plotësojnë kushtet e tenderit mund të aplikojnë. Dhe duhet pas parasysh që kualiteti i mirëmbajtjes së rrugëve asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se në 2017. 11 milionë e 712. Duhet me pas parasysh se sinjalistikë nuk ka pas tre vite tenderë. Ne e kemi pa se duhet të intervenohet në mirëmbajtje. Sa i përket keqpërdorimeve që kanë ndodhë dhe stërzgjatje, është çështje e OSHP-së sepse ne e shpallim tenderin”, tha Kadriu.
Drejtori i Policisë Rrugore, Samedin Mehmeti, ka treguar se për 11 muaj kanë vdekur 109 persona nga aksidentet në trafik.
Ai ka ofruar statistika të dënimeve që kjo njësi ka bërë në tri vitet e fundit, për kompanitë dhe personat përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Në vitin 2016 kemi pasur 15 raste të gjobave të shqiptuara, prej tyre 9 raste për persona fizikë, pra shoferë të kamionëve që janë treguar të papërgjegjshëm për pastrimin e rrugëve nga bora e ngricat, dhe 6 raste për persona juridikë, pra për kompani. Në vitin 2017 kemi shqiptuar 24 gjoba”, ka thënë më Mehmeti, përcjell Koha.net. “Këtë vit, janë shënuar 6 gjoba, prej tyre dy për kompani e 4 për persona fizikë. Por këtë vit ende nuk ka nisur sezoni”, ka thënë ai.
Mehmeti ka treguar se gjatë sezonit të verës, zyrtarët policorë kanë bërë rreth 100 inspektime, nga të cilat në 50 raste janë dhënë vërejtje me shkrim për përmirësimin e aspekteve në mirëmbajtje të rrugës.
“Për fat të keq, në 11 raste kemi shqiptuar gjoba për shkak se as pas vërejtjeve tona nuk kanë ndërmarrë masa për mënjanimin e problemeve për siguri në trafik”, ka thënë ai.
