Aktuale
Ministria insiston në vendosjen e laurave në parqet kombëtare të Rugovës, Komuna e qytetarët kundër

Komuna e Pejës, bashkë me banorët e kësaj ane, janë kategorikisht kundër vendosjes së laurës në Grykë të Rugovës.
Përfaqësuesi i banorëve në këtë pjesë shpreson që Ministria e Mjedisit ka hequr dorë nga kjo ide, pasi u protestua disa herë, por edhe materiali për ndërtimin e laurës u dogj nga banorët, raporton KTV.
Zyrtarët komunalë thonë se Ministria e Mjedisit nuk mund të veprojë në kundërshtim me vullnetin e banorëve të kësaj ane.
Kuvendi i Komunës së Pejës ka nxjerrë një vendim unanim për kundërshtimin e ndërtimit të laurës në Grykë të Rugovës si dhe për taksën e qarkullimit të qytetarëve në përgjithësi.
Me këtë vendim, kërkohet nga kryetari i komunës dhe të gjitha drejtoritë komunale, që të mos japin pëlqim për ndërtimin e një laure të tillë.
Ministria e Mjedisit këtë telash e ka edhe në komunën e Junikut, meqenëse as atje banorët nuk e kanë lejuar vendosjen e laurës.
Megjithatë, ky institucion është i vendosur që të vazhdojë me këtë plan.
Fatmir Morina, nga Ministria e Mjedisit, ka thënë se lidhur me kundërshtimin e banorëve të këtyre dy komunave, ka biseduar me kryetarët e tyre dhe se ata janë pajtuar me ndërtimin e laurave, por që janë duke pritur vetëm një marrëveshje përfundimtare me banorët.
Kjo ministri tashmë e ka shpallur tenderin për ndërtimin e 7 laurave në dy parqet kombëtare, atë të Bjeshkëve të Nemuna dhe Sharr.
Në Sharr kanë përfunduar tri laura, ndërkaq në Bjeshkët e Nemuna, në Deçan, janë në përfundim e sipër dy të tilla
