Aktuale
Ministria e Sportit favorizon PADREJTËSISHT një kompani: Rivlerësim tenderit për Stadiumin e Drenasit [dokument]

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) si fitues të tenderit për “studimin e fizibilitetit për Stadiumin Kombëtar të Futbollit në Drenas” ka zgjedhur një kompani e cila nuk i ka plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit, Dresse&Sommer g.m.b.h. Stutgrad, Germany & IFS Euskirchen, Germany & HPP Duseldorf, Duseldorf, Germany. Dhe se nuk ka kualifikuar ofertat e përgjegjshme. Gjë të cilën e kanë vulosur edhe gjetjet e ekspertëve teknik të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).
Pas gjetjeve të panelit shqyrtues, se MKRS nuk ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit, paneli shqyrtues ka kërkuar që MKRS si autoritet kontraktues t’i rivlerësojë të gjitha ofertat e dorëzuara dhe rivlerësimin ta bëjë në harmoni me të gjitha dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
Që lënda të rivlerësohet dhe të mos anulohet ashtu siç kishin rekomanduar ekspertët e OShP-së, erdhi pasi që në seancën dëgjimore u tha se ka oferta të përgjegjshme të cilat oferta nuk janë kualifikuar, shkruan Ndërtimi.info
Përveç nenit 7 të (LPP), MKRS nuk ka respektuar as nenin 59 sipas kërkesave të aplikuara në DT.
Në bazë të kësaj eksperti teknik i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar dhe që po ashtu i ka rekomanduar që ky aktivitet i prokurimit të anulohet në mungesë të ofertave të përgjegjshme dhe i njëjti të ritenderohet nëse AK-MKRS ende ka interes për të.
Kurse, përfaqësuesja e MKRS-së në seancën dëgjimore ka kërkuar që të refuzohet ankesa dhe të vazhdohet me procedurat e rivlerësimit. Madje ajo ka deklaruar se qëndron mbrapa vendimit duke shtuar se kanë pasur konkurrencë të mirëfilltë por që sipas saj rregullat e tenderimit që kanë ofertuar vetëm 6 i kanë plotësuar. Madje ajo ka kërkuar që të refuzohet ankesa dhe të vazhdojnë me procedurat e rivlerësimit.
Arsyeje tjetër për anulim e këtij aktiviteti sipas ekspertit është se operatorët e parakualifikuar nuk i plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit dhe kapacitetit ekonomik financiar.
“Pretendimet ankimore kanë pasur të bëjnë kryesisht me çështje teknike të cilat i ka trajtuar eksperti teknik dhe të njëjtat kanë qenë për 6 ofertuesit. Arsyeja pse ky aktivitet të anulohet është se operatorët e parakualifikuar nuk i plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit dhe kapacitetit ekonomik financiar”, ka deklaruar Bibaj.
“Pas gjitha analizave të lëndës, paneli shqyrtues sqaron se operatori ekonomik “Drees&Sommer g.m.b.h Stutgard, Germany&IFS Euskirchen, Euskirchen, Germany&HPP Duseldorf, Dusseldorf, Germany të gjithë dokumentacionin për plotësimin e kritereve teknike i ka dorëzuar në emër të tri kompanive të cilat në bazë të analizës së dokumentacionit të ofruar nuk kanë formuar grup dhe as përzgjedhur si nënkontraktor për qëllime të caktuar. Që më pas paneli shqyrtues vlerëson se është i qëndrueshëm ky pretendim për faktin se kjo kompani nuk ka ofruar dëshmi të marrëveshjes për konsorcium dhe se shtatë referencat e përshkruar në Aneksi nr.4 dhe të gjitha referencat të përshkruara në Aneksin nr.5 janë të kompanive të cilat nuk janë paraqitur as si anëtar të grupit dhe as si nënkotraktor. Gjithashtu as njëri nga anëtarët pjesëmarrës të këtij grupi nuk kanë dorëzuar raportin e aduitimit siç është kërkuar me rastin e plotësimit të formularit financiar Aneksi nr.6 duke ju referuar seksioni 7.1 të KPK. Kurse edhe vetë operatori ekonomik Dress&Sommer g..m.b.h, me rastin e plotësimit të kritereve teknik në Aneksin nr.6 gjatë plotësimit të përshkrimit të relevancës së shërbimeve të ofruara nga Respondenti shkruan se “nuk është ofruar as një shërbim Arkitektonik” si dhe nuk kanë marrëveshje të krijimit të grupit”, thuhet në sqarimin e ekspertit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për tenderin e studimit të fizibilitetit për Stadiumin Kombëtar të Futbollit në Drenas ka ndarë shumën e 1 milionë e 500 mijë euro.
Rikujtojmë, se pas shumë kundërthënieve e deklaratave, Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinaj në mbledhjen e 4 dhjetorit të 2017-ës mori vendim që Stadiumi Kombëtar të ndërtohet në Zonën Ekonomike, komuna e Gllogocit, me një sipërfaqe prej 25 hektarë, në vendin e quajtur Sankoc.
Ky stadium parashihet të ketë vend për 30 mijë shikues.
Që të ndërtohet Stadiumi Nacional i Kosovës, ishte marr vendimi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me 15 mars të 2014-ës. Në atë botë e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Në këtë mbledhje Thaçi kishte kërkuar nga Memli Krasniqi i cili drejtonte Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Besim Beqaj që ishte në krye të Ministrisë së Financave që shpallet konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumit në Prishtinë.
Vendimi për ndërtimin e këtij stadiumi ishte bërë 10 ditë pasi përfaqësuesja e Kosovës në futboll kishte luajtur ndeshjen e parë zyrtare megjithëse miqësore kundër Haitit. Ndeshje kjo që ishte zhvilluar në Mitrovicë në Stadiumin “Adem Jashari” e cila pati përfunduar me barazim, zero me zero.
Derisa tenderi për fizibilitetin është ndërkombëtar, nuk dihet nëse MKRS do të hapë tender ndërkombëtar edhe për projektin se si do të duket stadiumi.
