Aktuale
Ministria e Mjedisit investon mbi gjysmë milionë euro në Gjilan për zona të gjelbra
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi përmes të cilit parashihet të investohen 550 mijë euro për financimin e projektit për krijimin e zonave të gjelbra në Gjilan.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Mjedisit, Ministri Matoshi ka thënë se me këtë projekt Gjilani do të marrë pamje të re dhe cilësi më të mirë të ajrit, si dhe do të jetë edhe shembull për komunat e tjera.
“ Me këtë projekt Gjilani do të merr një pamje te re, një cilësi më të mirë të ajrit dhe mjedisit në përgjithësi. Angazhimi jonë i përbashkët mbetet që përmes projekteve të krijojmë një qytet ekologjik që do të jete shembull dhe për komunat tjera”, ka deklaruar Matoshi.
Përvec kësaj, Matoshi ka treguar edhe se në Gjilan do të realizohen edhe pesë projekte të tjera këtë, të cilat do të kenë vlerën prej 1 milion eurosh.
“ Projektet që i kemi filluar në Gjilan janë: Krijimi i zonave të gjelbra në Gjilan në vlerë prej 550 mijë euro; Vazhdimi i punimeve në Lumin Mirusha në vlerë prej 250 mijë euro; Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Dobërçan në vlerë prej 550 mijë euro dhe Pastrimi i shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka në vlerë prej 100 mijë euro si dhe projektin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ në vlerë prej 100 mijë euro”, tha ministri Matoshi.
Po ashtu në Komunikatën e Ministrisë thuhet që Matoshi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm në Gjilan. Ndërsa, ka përmendur edhe projektin më të madh për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në këtë komunë.
“ Me kryetarin Haziri kemi diskutuar edhe për problemin e ujit të pijshëm. Jam i përkushtuar si ministër që komunës së Gjilanit t’i ofrojmë mbështetje të plotë që ta tejkalojmë krizën e ujit të pijshëm. Po ashtu i bëjmë me dije edhe Qeverisë edhe dikastereve tjera të qeverisë, se duhet të përfillet në mënyrë urgjente kërkesa e Komunës së Gjilanit, dhe MMPH-ja është e gatshme të jap mbështetje për ta kaluar krizën e madhe të ujit”, tha Matoshi.
E kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ky projekt është i domosdoshëm për Gjilanin dhe se do të sjellë shumë përfitime kësaj komune.