Aktuale
Ministria e Mjedisit ia jep tenderin për studim të ndotjes me asbest kompanisë që s’ka laborator adekuat
Për të kryer një studim të gjendjes së ndotjes me asbest në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka rekomanduar për kontratë një kompani e cila nuk ka në pronësi laborator të certifikuar për analiza të këtij materiali. Kjo është njëra prej arsyeve që vendimi për dhënie të kontratës për grupin e operatorëve ekonomikë “WASTEAM S.R.L,SFA S.P.S dhe AL TROI SH.P.K” i këtij institucioni është anuluar.
Me një vendim të marrë javën e kaluar, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e ka kthyer në rivlerësim tenderin me titull ”Studimi për gjendjen e ndotjes me asbest në Kosovë”, me numër të prokurimit 210-19-5229-2-1-1, të iniciuar nga MMPH-ja më 9 dhjetor të vitit të kaluar. Vlera e paraparë e këtij tenderi ka qenë 650 mijë euro, ndërkohë që oferta e operatorit të rekomanduar për kontratë ka qenë 518 mijë e 20 euro, shkruan sot Koha Ditore.
Vendimin për kthim në rivlerësim të këtij tenderi, OShP-ja e ka marrë pasi që i ka shpallur si të bazuara ankesat e dy grupeve të operatorëve ekonomikë që kanë qenë pjesë e procedurës tenderuese. “Aprovohen si të bazuara ankesa e operatorit ekonomik ‘Instituti Bioinvest, SH.P.K, Biollab Umweltanalaysen GmbH, Zeneli HolzBautenschutz GmbH’, Prishtinë dhe ankesa e operatorit ekonomik ‘AMIANTUSN ASBESTOSS LLC, Naser Loshi B.I.’, Prizren, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Studimi për gjendjen e ndotjes me asbest në Kosovë…”, thuhet në dispozitiv të këtij vendimi.
Me këtë vendim MMPH-së i është kërkuar që të rivlerësojë edhe një herë ofertat e operatorëve ekonomikë. “Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Studimi për gjendjen e ndotjes me asbest në Kosovë’, me numër të prokurimit 210-19-5229-2-1-1, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendim.
Këtë vendim OShP-ja e ka marrë përkundër që në seancën ku janë shqyrtuar ankesat, në fjalën përfundimtare përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit citohet të ketë kërkuar që “paneli shqyrtues të hedhë poshtë ankesat e operatorëve ekonomikë ankues dhe të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues”.