Aktuale
Ministria e Mbrojtjes hap tenderin për 5 mjete ajrore dhe 54 efektivë fluturues
Ministria e Mbrojtjes ka hapur ditën e premte tenderat e përvitshëm për sigurimin e helikopterëve dhe personelit fluturues të Komandës së Forcës Ajrore. Në total janë 5 helikopterë dhe 54 efektivë, të cilët do të pajisjen me sigurim në rast aksidentesh, dëmtimesh apo humbje jete.
Primi i sigurimit për 5 helikopterët arrin deri në 199 milionë lekë, një vlerë e konsiderueshme, por e bazuar në vlerën e mjeteve ajrore, të cilat së bashku arrin shumën e mbi 8.7 miliardë lekëve, ose 65.7 milionë eurove. Pjesa më e madhe e kësaj shume i takon 2 helikopterëve Cougar AS-532, të viteve të prodhimit 2012 dhe 2014, me një kapacitet prej 9 tonësh dhe 24 vendesh për pasagjerë, të cilët kapin secili një vlerë deri në 3.8 miliardë lekë.
Siguracioni do të përfshijë mbulimin kasko, mbulimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta (TPL), si dhe mbulimin e pasagjerëve. Këta të fundit, në rast aksidenti do të përfitojnë një dëmshpërblim maksimal prej rreth 16.1 milionë lekësh.
Ministria e Mbrojtjes do të sigurojë gjithashtu edhe pilotët, mekanikët e bordit, si dhe inxhinierët e fluturimit. Fondi limit për sigurimin e jetës së efektivëve fluturues është caktuar në 15.4 milionë lekë.
Dëmshpërblimi maksimal për 35 pilotët, 13 mekanikët dhe 6 inxhinierët e fluturimit është i pandryshuar nga vitet e kaluara, në 18 milionë lekë për person. Krahas humbjes së jetës, efektivët do të dëmshpërblehen edhe në rast humbjeje gjymtyrësh, paaftësie të plotë të përhershme, etj.
Ndonëse rastet e rrëzimit të helikopterëve janë të rralla, ato nuk janë të pamundura dhe në Shqipëri mund të përmendim rastin e Helikopterit EC 145 që u rrëzua në liqenin e Shkodrës në Prill të vitit 2016, aksident i cili shkaktoi dhe humbjen e jetës së dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtaraku në bord.
Tenderat për sigurimin do të qëndrojnë të hapur deri më 4 Dhjetor 2017, ndërsa periudha e mbulimit është 365 ditë pas nënshkrimit të kontratës.