Connect with us

Featured

Ministria e komunat në hall për vijat e bardha që shlyhen shpejt, vihet në dyshim materiali

Published

on

Kushtrim Hajzeri

Qarkullimi i madh i automjeteve dhe mosmirëmbajtja e rrugëve në vend bëjnë që pjesëmarrësit në trafik të mos kenë siguri. Një ndër arsyet që ndikon në shkaktimit e aksidenteve rrugore, që shpesh përfundojnë me fatalitet, është edhe fshirja apo fshehja e vijave në rrugë, që ndryshe njihen edhe si sinjalizim horizontal.

Në rrugët e Prishtinës, por edhe në rrugët nacionale shpesh hasim në vija të cilat janë fshirë totalisht apo janë nxirë, e që si pasojë sidomos gjatë natës mund të pësojnë këmbësorët, raporton Ndertimi.info.

Përveç për vijat  për këmbësor kujdes dhe mirëmbajtje nuk po tregohet as edhe për ato që ndajnë korsitë e rrugëve.

Trajneri dhe instruktori i komunikacionit, Njazi Kusari ka treguar arsyen pse fshihen dhe nxihen vijat  dhe si duhet të veprohet me to.

”Problemi tjetër qëndron që sinjalizimi horizontal duhet të ekzekutohet me cilësi të ngjyrave që janë sot. Kushtojnë, por janë më afatgjate dhe jo këto që po i vendosim dhe po përngjajnë me një gëlqere. Nuk janë kualitative. Problemi tjetër është se është koha e caktuar kur duhet të ekzekutohen këto sinjalizime dhe tash prej këtij momenti është momenti i fundit kur duhet të ekzekutohen ato për arsye se gjatë të reshurave kur qarkullojnë automjetet, aty nuk mund të ekzekutohen, në motin me shi nuk mund të ekzekutohen. Tash është momenti i fundit të ripërtërihen dhe të vendosen, por të vendosen në kuadër të standardeve të cilat i ka përcaktuar Bashkësia Evropiane dhe këto standarde ekzistojnë dhe MI i ka, por duhet të mirëmbahen”, ka thënë ai.

Në mënyrë që të ofrohet siguri në komunikacion kompetentë për mirëmbajtjen dhe ripërtëritjen e këtyre vijave janë Ministria e Infrastrukturës dhe komunat.

Inxhinieri i Trafikut në Ministrinë e Infrastrukturës, Emir Morina ka thënë për Ndërtimi.info se kjo ministri tash e një vit nuk ka kontratë me ndonjë operator që do t’i mirëmbante këto vija.

Arsye për këtë sipas Morinës është mungesa e mjeteve financiare. Materiali që përdoret për vijat e bardha është dy llojësh në Kosovë. Njëri më i lirë dhe tjetri më i shtrenjtë. Ky i pari përdoret në zonat më me pak qarkullim, kurse më i shtrenjti përdoret në zonat urbane ku ka qarkullim më të dendur.

Ai ka shtuar se kontrata pritet të nënshkruhet në tetor të këtij muaji, derisa ka treguar se deri tash është përdorur materiali më i lirë i mundshëm për shënjimin e vijave, por që planifikohet të ndërrohet ky material.

“Deri tani ne si ministri kemi aplikuar sinjalizim horizontal apo të ashtuquajtura vija të bardha, vetëm për ndarjen e shiritave, ku kryesisht kanë qenë një komponentëshe, të materialit më të lirë të mundshëm, e që afati i tyre teknik garanton deri në 12 muaj. Mirëpo, këtë vit kemi planifikuar t’i shënojmë edhe ato skajoret ose kufizuesit e rrugës, me qëllim të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Kemi filluar t’i aplikojmë vijat sinjalizuese me masë të plastifikuar edhe pse janë më të kushtueshme, mirëpo  e kanë arsyeshmërinë e vetë – qëndrueshmërisë. Afati teknik i tyre granaton jetëgjatësi diku 3 – 4 vjet”, ka thënë ai.

E, pa kontratë për mirëmbajtje dhe ripërtëritje të vijave momentalisht është edhe Komuna e Prishtinës, e cila është përgjegjëse për rrugët brenda territorit të saj.

Shefi i Sektorit për shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri ka thënë se ekziston nxirja e vijave dhe krijimi i një shtrese, e cila sipas tij pastrohet nga shiu.

Qorri, ka thënë se nevojitet studim për shkaktarët e nxirjeve si dhe një kontratë më afatgjatë për punime në to.

“Është nxirje e vijave që kjo ndoshta kërkon ndonjë studim se çka  të bëhet që të mos vihet deri të nxirja e tyre apo shtresimi i shtresave tjera të materialeve gjate konsumimit të pneometikëve, betomenit dhe liri i gazrave që është në masë të madhe. Te ne nuk ka kontroll të lirimit të gazrave dhe aty lirohen edhe vajra”, ka thënë Qorri.

Sipas tij, pas arritjes se kësaj kontrate, puna do të fillojë duke iu dhënë prioritet rrugëve më të frekuentuara.

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending