Aktuale
Ministria e Integrimeve i kundërpërgjigjet Ahmetit për mjetet e Sallës Koncertale
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/salla.jpg)
Ministria e Integrimit Evropian ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryetarin të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili fajin kryesor për anulimin e tenderit për projektin e ndërtimit të Sallës Koncertale ia la Ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.
Sipas Ahmetit për dështimin e projektit ishte shkaktare Ministrja Hoxha sepse ajo kishte dërguar letër në zyrat e BE-së në Bruksel për ridestinimin e mjeteve të ndara për këtë projekt.
Por Ministria e Integrimeve Evropiane e ka bërë një sqarim për opinionin në lidhje me këtë çështje.
Sipas tyre nuk është MIE nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE-së, sepse ajo nuk i ka këto kompetenca.
“Sa për informacion, Menaxhimi i fondeve të BE-së në Kosovë është i formës së centralizuar, pra është BE ajo që vendos për fonde të saj e jo Kosova”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Përveç kësaj ajo akuzon Ahmetin, i cili sipas tyre nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën e Ministrisë së Integrimeve, për t’i informuar në gjetjen e lokacionit për ndërtimin e Sallës Koncertale.
“Ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës. Përpos takimeve që kemi pasur, më 2 maj 2019 Ministria e Integrimit Evropian i ka dërguar shkresë Kryetarit Ahmeti duke i kërkuar të na informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Kurse Kryetari Ahmeti, nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën tonë, ndërkohë që tash paraqitet si i brengosur”, thuhet tutje nga Ministria.
Ndërkohë sipas tyre mjetet financiare nuk janë humbur, ato do të ndahen sapo të gjendet një lokacion tjetër për sallën e koncerteve.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)