Featured
Ministria e Infrastrukturës planifikon edhe rreth 111 milionë euro për Autostradën e Gjilanit
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka filluar procedurat e prokurimit edhe për një projekt që do t’i kushtojë qindra miliona euro. Tashmë është bërë njoftimi për kontratën “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1(Banullë)-Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc-Dheu i Bardhë. Nga Stac. 26+875.00-Stac. 51+752.00”, raporton Ndërtimi.info.
Për këtë pjesë të projketit të autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka planifikuar t’i shpenzojë rreth 111 milionë euro (110.641.160,00).
Sipas njoftimit për kontratë, ku ftohen operatorët ekonomikë të bëjnë ofertat e tyre, ky projket ndahet në katër lote.
Ndërkaq, të gjithë opratorët ekonomik të intresuar për këtë projekt ofertat e tyre mund t’i dorëzojnë në mënyrë elektronike, deri më 24 shkurt në ora 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve në zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Kujtojmë se në gusht të vitit 2019 Prokuroria Speciale e Kosovës ka fillua hetimet në lidhje me kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, punimet e të cilës filluan në vitin 2018.
Në anën tjetër, Lëvizja FOL në 2018 kishte nxjerr një raport nga monitorimi i procesit të ndërtimit të kësaj autostrade, ku thuhej Ministria e Infrastrukturës ka ofruar dokumente të pjesshme, që i shtojnë dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mos-qasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës. Parregullsitë e identifikuara nga FOL përfshijnë edhe mungesën e planit të prokurimit, i cili do të duhej të kishte paraparë ndërtimin e autostradës, vonesa në fillimin e punimeve, dyshime rreth kohëzgjatjes së punimeve nëse janë 30 muaj total apo 30 muaj ditë pune. Në kuadër të gjetjeve nga ky monitorim ishin përfshirë edhe vonesat në procesin e shpronësimit dhe lejimi i ndërrimit të pronësisë së parcelave, në zonat kadastrale të prekura nga shpronësimi, deri në momentin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar nga ana e Qeverisë së Kosovës. /Ndërtimi.info/