Aktuale
Ministria e Infrastrukturës nuk di dëmet nga muri i rrëshqitur rrugës hyrëse nga Veterniku
Vërshimet e shkaktuar nga reshjet e pandërprera të premten e kaluar kanë bërë që të rrëshqasë muri mbrojtës të rrugës së zgjeruar në hyrje të Prishtinës nga Veterniku.
Rrëshqitja e këtij muri bëri që vërshime të ketë edhe nëpër podrume të banesave në atë zonë.
Pavarësisht rrëshqitjes së këtij muri në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) thonë se situata në këtë rrugë është e mirë dhe se rruga është e pa dëmtuar.
Nga Zyra e Informimit të kësaj ministria për Ndërtimi.info kanë thënë se ende nuk dihet konkretisht dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e murit anësor mbrojtës në këtë rrugë.
“Në lidhje me dëmet tani për tani nuk mund të themi diçka konkret pasi që konstatimi i tyre për shkak te motit është i vështirësuar”, thuhet në përgjigjen e MI-së.
Edhe pse u raportua se si pasojë e dëmtimit të këtij muri u shkaktuan vërshime në podrumet e banesave afër rrugës në Veternik, në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se banorët nuk janë të rrezikuar nga rrëshqitjet e mureve.
Disa ditë para vërshimeve zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu kishte vizituar punimet në këtë rrugë, nga ku kishte thënë se rruga në pjesën e majtë do të përfundojë pas 2 apo 3 ditësh pas përmirësimit të motit.
Ndërsa, në anën ku ka rrëshqitur muri punimet sipas MI-së do të bëhet pasi të përfundojë shpronësimi.
“Sa i përket përfundimit të këtij projekti pasi të bëhet shpronësimi i pronave private i cili nuk është bërë mund të japim me konkretisht kur do të përfundojë projekti. Ministria tani për tani është duke analizuar gjendjen dhe duke përcjellur gjendjen si dhe duke bërë sinjalizimin e nevojshëm rreth punishtes nga ana e rrugës ekzistuese prej nga qarkullojnë automjetet”, kanë thënë nga Ministria e Infrastrukturës për Ndërtimi.info.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës rruga ekzistuese është e padëmtuar dhe qarkullimi i automjeteve zhvillohet pa pengesa sikur edhe më parë.