Aktuale
Ministria e Infrastrukturës njofton për rrëshqitje të mundshme të dheut në Kaçanik – Hani i Elezit

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për mundësinë e rrëshqitjes së dheut në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, për çka ka bërë thirrje që ngasësit e automjeteve në këtë zonë të kenë kujdes, transmeton Ndërtimi.info.
“Për të gjithë ju pjesëmarrës në komunikacionin rrugor, që frekuentoni rrugën N 2, Kaçanik – Hani i Elezit, ju bëjmë më dije se një pjesë e kësaj rruge, rreth 200 metra përbën rrezik për rrëshqitje dhe erodime të dheut e të gurëve. Andaj ju lusim për vëmendjen Tuaj dhe për kujdes të shtuar, nëse patjetër e zgjedhni të qarkulloni në këtë aks rrugor. Ne si Ministri e Infrastrukturës, që nga nesër do të marrim masat e nevojshme për rregullim të atij rreziku, por deri në sigurimin e plotë të këtij aksi, ju bëjmë thirrje që të zgjedhni rrugë alternative, siç është rruga për në pikën kufitare “Gllobiçicë”, e cila e lidhë Prizrenin me Tetovën”, thuhet në njoftimin e minsitrisë.
Ministria bënë të ditur se po punohet që të sigurohet qarkullim pa probleme, duke thesuar se ndërhyrja në këtë segment është emergjente.
“Ne si Ministri, krahas punëve që po kryhen në Autostradën “Arbën Xhaferi”, e cila pritet të përfundojë në fund të nëntorit të këtij viti, po bëjmë çdo gjë që është në mundësitë tona për të siguruar qarkullim pa probleme edhe në rrugët ekzistuese. Situatën që e kemi trashëguar kërkon ndërhyrje emergjente në shumë segmente, njëra nga këto është edhe segmenti, Kaçanik – Hani i Elezit, rruga ekzistuese Nacionale N 2, thuhet tutje në njoftim.
Ministria thekson se është në dispozicion për çfarëdo situate që lëvizja e lirë e mallrave dhe e qytetarëve të mos ketë pengesa.
