Aktuale
Ministria e Infrastrukturës jep 2.5 milionë euro për rrugët e Suharekës

Ministria e Infrastrukturës do të mbështesë Komunën e Suharekës në disa projekte infrastrukturore, që kapin vlerës 2.5 milionë euro, transmeton Ndërtimi.info.
Për këtë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kanë nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka treguar se cilat rrugë do të rregullohen me këto mjete.
“Sot patëm kënaqësinë të nënshkruajmë disa memorandume për këtë vit siç janë rruga që lidh Komunën e Suharekës me Komunën e Shtërpcës, pastaj rrugën që vjen nga fshati Papaz deri te rruga që lidh Shtimen me Suharekën ( rreth 5 km.), pastaj rrugën tjetër që lidh Komunën e Suharekës me Komunën e Malishevës, përkatësisht rruga Nishor-Bellanicë”, ka thënë ai
Muharremaj ka nënvizuar se po ashtu është arritur një marrëveshje e cila do të nënshkruhet shumë shpejt, për rrugën që vazhdon për Prizren dhe lidh fshatin Leshan me fshatin Sopijë.
Ndërsa, ministri Lekaj ka theksuar se do të vazhdojë ndihma e tillë për komunat.
“Ne sapo nënshkruam memorandume mirëkuptimi me Komunën e Suharekës, për infrastrukturë rrugore dhe ne si çdo herë do ti ndihmojmë komunat tona dhe ne u zotuam që do të jemi mbështetës të fuqishëm të gjitha projekteve që të implementohen me kohë dhe mos të ketë stërzgjatje. Unë e falënderova kryetarin Muharremaj, që është i përkushtuar që ti kryej këto projekte me kohë, të jetë i saktë dhe mendojë që nuk do të kemi asnjë pengesë për realizimin e këtyre projekteve”, është shprehur Lekaj.
