Aktuale
Ministria e Infrastrukturës e quan gënjeshtër lajmin se e fshehu raportin për 53 milionëshin
Ministria e Infrastrukturës ka reaguar në lidhje me lajmin se ka fshehur përmbajtjen e opinionit të kompanisë “Hill International” për pagesën e 53 milionëve shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për Autostradën “Arbën Xhaferi”.
U raportua se opinioni i kompanisë “Hill International” hidhte poshtë kërkesën e konsorciumit “Bechtel-Enka” për pagesën e 53 milionë eurove shtesë dhe se i njëjti nuk i ishte në dispozicion të Komitetit Ndërministror.
Përmes një reagimi, ministria e Infrastrukturës ka hedhur poshtë këtë, duke theksuar “Hill International” asnjëherë nuk ka dhënë qëndrim në lidhje me pagesën e 53 milionëshit.
“Për hir të sqarimit të opinionit publik, Hill International, si punëmarrës i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, asnjëherë nuk ka thënë, PO apo JO, sa i përket debatit me operatorin Bechtel & Enka lidhur me borxhin e 53 milionë eurove (borxh i cili ishte akumuluar nga keqqeverisja e kaluar, sepse projekti kishte mbetur 4 vite pa buxhet). Madje kur është kërkuar mendim nga HILL, të njëjtit janë deklaruar se nuk janë kompetent për të dhënë rekomandim për të ardhmen kontraktuale të MIT si punëdhënës dhe BEGPB si punëmarrës, porse i njëjti është i obliguar që të mbikqyrë implementimin e çdo germe të kontratës së lidhur ndërmjet dy palëve”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Lajmin për fshehje të opinionit të kompanisë “Hill International”, ko ministri e ka quajtur gënjeshtër.
“Prandaj, çdo insistim tjetër nga kushdo qoftë, përveç se përmes gënjeshtrës po e keqinformon publikun, po bëhet edhe shkelje e etikës së gazetarisë, që është informimi e jo përhapja e të pa vërtetës me tendencë për të denigruar ministrinë si institucion dhe ministrin Pal Lekaj. Andaj, konform kësaj i bëjmë thirrje Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që të distancohet nga kjo formë e gazetarisë të cilën po e proklamon mediumi “KOHA” dhe në të njejtën kohë, i thërrasim të gjithë akterët e përfshirë në projektin Autostrada, R6, “Arbën Xhaferi”, HILL, BEGPB, anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministrorë, që të deklarohen rreth “lajmit” të mediumit Koha, i cili në vetëvete nuk përmbanë asnjë të vërtet”, thuhet tutje në reagim.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë publike një shkresë të kompanisë “Hill International”, lidhur me 53 milionëshin.