Aktuale
Ministria e Infrastrukturës e konsideron “KUTURU” vendimin për kyçjen e Vitisë dhe Ferizajt në autostradë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/auto.jpg)
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, “Arbën Xhaferi” është lëshuar për qarkullim më 29 maj, pas pesë vjetësh punime. Por, punët në këtë autostradë nuk kanë përfunduar plotësisht, pasi në të do të kryhen punime të pa përfshira në projektin fillestar. Pas kërkesave të vazhdueshme në autostradën për Shkup do të kyçen edhe Ferizaj dhe Vitia.
Kyçja e Ferizajt dhe Vitisë në autostradë do të bëhet pasi ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e banorëve të këtyre qyteteve dhe një grupi të deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6.
Mirëpo, një vendim i tillë, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po konsiderohet se është marrë në mënyrë kuturu.
“Sa i përket kyçjeve Viti dhe Ferizaj (Gërlicë dhe Zona Industriale Ferizaj) po ashtu janë vendime të ish-komitetit të marrura kuturu dhe pa as më të voglin studim, por që tani po bëhet e mundur edhe implementimi i tyre”, ka thënë Argjend Zejnaj, këshilltar i miinstrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, për Ndërtimi.info.
Ai, ka bërë të ditur se pritet që në fillim të muajit tetor të këtij viti të fillojë puna për këto dy kyçje në Autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Tani është faza e projektimit dhe pastaj, po besojmë rreth fillimit të tetorit të këtij viti do të fillojë puna për këto dy kyçje dhe për mbikalimin në Paldenicë të Elez Hanit. Vlera e këtyre punëve për dy kyçjet dhe për mbikalimin është herët të thuhet për shkak se do të jetë një procedurë e negociuar dhe si e tillë nuk lejohet të përmenden shifrat”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, Autostrada “Arbën Xhaferi” është e gjatë 65 kilometra, ku përfshinë urën (vijadukti) më e gjatë në Ballkan, me gjatësi 5814 metra.
Çmimi fillestar i autostradës “Arbën Xhaferi” ka qenë 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent, mirëpo më pas pas ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%, çmimi u rrit për 8 milionë euro, pra në 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent. Mirëpo, kjo autostradë sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit ka përfunduar me 706 milionë euro, kjo si pasojë e një penalltie ndaj konserciumitt “Bechtel & Enka” dhe zgjatjes së kohës së përfundimit të punimeve. /Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)