Aktuale
Ministria e Financave tregon se a do të ketë zgjatje të afatit për falje të borxheve
Ka përfunduar afati për faljen e borxheve, por megjithatë Ministria e Financave ende nuk ka të dhëna se sa është shuma e faljeve të borxheve. Shkak del të jetë se ende Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike nuk kanë dërguar raportet përmbledhëse tek Komisioni Koordinues i faljes së borxheve.
Kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info, zyrtari për informim nw Ministrinw e Financave, Muharrem Shahini.
“Sa i përket të dhënave lidhur me faljen e borxheve dhe pagesave të bëra për të përfituar nga falja, Komisioni Koordinues i faljes së borxheve është duke pritur raportet nga Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike, pas pranimit të raporteve do të hartohet një raport përmbledhës me të dhëna të detajuara për të gjitha institucionet bazuar në raportimet e tyre”, ka deklaruar ai.
Administrata Tatimore e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Komunat për Tatimin në Pronë, sipas Shahinit dalin të jenë institucionet të cilat kanë falur më së shumti borxhe.
“Institucionet të cilat kanë falur më shumë borxhe janë: Administrata Tatimore e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Komunat për Tatimin në Pronë dhe disa ndërmarrje Publike kryesisht ato të cilat operojnë në Komunat/Qytetet me të mëdha të Republikës së Kosovës”, ka treguar mw tej Shahini pwr Ndertimi.info.
Qeveria e shkuara dy herë pati zgjatur afatin për faljen e borxheve të vjetra, meqë nuk pati stimulim të qytetarëve që t’i shlyejnë borxhet.
Ligji për Faljen e Borxheve ishte miratuar me 29 seancën e Kuvendit të Kosovës me 29 dhjetor të vitit të kaluar, ligj ky i cili ka qenë në fuqi që nga shatori i vitit 2015, e deri në shatorin e këtin viti.
Me Ligjin për Faljen e Borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, kanë mundur të përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.
Ky ligj është shfuqizuar me 31 gusht, që lë të kuptohet që nuk do të ketë më afate për zgjatjen e faljes së borxheve.
Që nuk do të ketë më zgjatje të afateve për falje të borxheve, e thotë edhe Shahini nga Ministria e Financave në Republikën e Kosovës.
“Ligji Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 05/L-119 ka qenë në fuqi deri më datë 1 Shtator 2017. Qytetarët në mënyra të ndryshme përmes mediave elektronike dhe të shkruara kanë qenë vazhdimisht të njoftuar sa i përket këtij afati ligjor. Deri më tani nuk është diskutuar për mundësinë e shtyrjes së afatit për falje të borxheve apo për ndonjë afat tjetër shtesë”, sqaroi ai.
Sipas Ligjit për faljen e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, kanë mundur të përfitojnë të gjithë personat të cilët kishin obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.
Kurse, sipas të dhënave zyrtare për dy afatet, pa të dhënat e afatit të fundit janë falur më shumë se 350 milionë euro borxhe.