Aktuale
Lluka thotë se ka opsion të dytë për “Kosovën e Re”, pranon se rrezikohet humbja e 19.7 milionë eurove

Pavarësisht tërehqjes së Bankës Botërore nga financimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, ministri i MZhE-së Valdrin Lluka është shprehur i bindur që ky termocentral do të ndërtohet sipas planeve.
Madje, gjatë raportimit para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ai tha se pas tërheqjes së Bankës Botërore kanë filluar negociatat me OPIC.
“Ne presim që në pjesën e parë të vitit 2019 të filloj ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’. Pas ndërprerjes se përkrahjes nga Banka Botërore, ‘Contur Global’ ka filluar negociata me OPIC. Projekti ka filluar, është duke vazhduar në bazë të planifikimeve”, tha ai.
Ai, ka pranuar se nëse dështon projekti, Qeveria e Kosovës obligohet që të paguajë gjobë prej 19.7 milionë euro. Kështu ka thënë minsitri i MZhE-së, Valdrin Lluka.
Kjo pagesë do të ishte një penalizim ndaj Kosovës në rast se nuk e respekton marrëveshjen tashmë të nënshkruar me kompaninë amerikane.
Përgjatë raportimit të tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Lluka ka sqaruar se projekti është duke u realizuar në bazë të planit.
Ministri theksoi se është e nevojshme të dihet se cila është kosto e kredisë për 70 përqindshin e saj, deria kërkoi të dihet edhe për kostoja finale e propozimit të Bankës Botërore.
Deputeti nga PSD-ja, Dardan Sejdiu ka dhënë një propozim se si të veprohet në lidhje me këtë çështje.
“Ne tash jemi në një situatë që kontratat janë nënshkruar, ndërsa sot në nëntor jemi duke folur ende për opsionet. Meqë është ecur përpara tash po flasim për një opsion i dytë. Për mua rruga më e mirë është që të ndërtohet kapacitetet energjetike nga vet shteti, si opsion mund të merren fondet pensionale në trust”, tha ai.
Ndërsa, deputeti nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, e ka quajtur të dështuar.
Ideja fillestare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” pati nisur në vitin 2006, ku aso kohe u pat prezantuar si projekt gjigant me kapacitete prej 2100 megavatë. Prej atëherë procesi ka dështuar disa herë.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar (2017), Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”. Termocentrali i ri do të prodhojë 450 MGW energji në orë, të cilën Qeverisë së Kosovës mund t’ia shesë deri në 80 euro për 20 vjetët e parë të punës. /Ndërtimi.info/
