Aktuale
Ministri Gashi: Ndërtimi i Stadiumit Kombëtar do të nisë më së largu në qershor

Kosova do të bëhet me stadium Kombëtar të futbollit, i cili do të ndërtohet në Korreticë të Drenasit. Ministri i Sportit , Kujtim Gashi, ka treguar afatin e fundit se kur do të vihet gurthemeli i impiantit që do të jetë më moderni në vend.
“Mundësia me ndërhy në procedura të ankesave është zero. Nëse na vjen një ankesë mund të ketë vonesë pak, por insistimi im dhe vendosmëria është që në qershor ta vendosim gurthemelin. Uroj të jetë një kompani e fuqishme ndërkombëtare, e cila për dy vjet do ta përfundojë stadiumin dhe Kosova për herë të parë të bëhet me një stadium evropian”, ka thënë ai në një intervistë në KTV.
Gashi ka bërë të ditur se në garë të ngushtë për ta projektuar këtë stadium janë kompani ndërkombëtare dhe në fund të shkurtit do të dihet fituesi.
“Kanë aplikuar 21 kompani dhe 6 prej tyre janë kualifikuar për garë të ngushtë, i kanë plotësuar kushtet për të fituar të drejtën me konkurrua për projekt. Tani, 6 prej tyre do të na sjellin projektet ideore në tavolinë dhe ne përmes komisionit tonë do të vendosim për njërin prej këtyre projekteve. Kur të vendosim, kompania fituese do të ketë tre deri në gjashtë muaj kohë që të finalizojë në detaje projektin dhe pastaj të hapim procedurën për ndërtim”, tha ai.
Ai, ka theksuar se nga kompanitë konkurruese vetëm një ka qenë vendore, por që nuk është rrethin e ngushtë. Se a do të ndërtohet stadiumi nga kompanitë vendore apo ndërkombëtare, ai ka thënë se varet nga ofertat dhe në bazë të ecurisë mendoj që do të jetë kompani ndërkombëtare sepse sipas tij nuk ka kapacitet brenda kompanive vendore për realizimin e një projekti të tillë.
Gashi, ka thënë se nga të gjitha projektet, më së shumti i ka pëlqyer projekti i një kompanie turke, por ka nënvizuar se nuk është ai që vendos në fund.
