Aktuale
Ministri Bajrami premton rikthimin e “Brezovicës”, teksa pronat janë kthyer
Projketi i dështuar i Brezovicës synohet të riaktualizohet sërish, kështu ka thënë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.
Këto deklarata u dhanë në një konferencë “Diplomacia dhe Turizmi”, të organizuar në Prishtinë me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Ai ka ftuar sërish investitorët për investime në këtë projekt të madh.
Kurse sa i përket vizitorëve, Kosova ka pasur rreth 200 mijë vizitorë vitin e kaluar; një shifër kjo e ulët krahasuar edhe me shtetet e rajonit. Shqipëria, psh, ka pasur rreth 3.8 milionë turistë gjatë të njëjtës periudhë.
Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me 22 shtator u mor vendim që tokat e shpronësuar t’i kthehen pronarëve pasi projekti kishte dështuar.
“Qeveria ka shfuqizuar vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga implementimi i projektit për Qendrën turistike në Brezovicë, plasi që ky projekt ka dështuar”, thuhej në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.
Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro. Ky konsorcium kishte planifikuar investime në kompleksin turistik Brezovica, prej 165 milionë euro në tri vitet e para, si dhe ishte premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune.