Aktuale
Ministrat e Haradinajt dhanë këtë votë për zgjidhjen e ofruar nga kryeministri për Hade dhe Shipitullë
Ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë miratuar dy propozimet e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me ndarjen e mjeteve për shpronësim të shtëpive të banorëve të Hades dhe Shipitullës.
Propozimi i Haradinajt u miratua unanimisht nga anëtarët e kabinetit qeveritar, ndërsa njëjtë vepruan edhe me propozimin për lejimin e përparësisë në punësim të këtyre familjarëve në KEK.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo ka qenë një zgjidhje jo e lehtë që është arritur mes Qeverisë dhe banorëve të këtyre fshatrave.
Me vendimin e miratuar sot, Qeveria obligon Korporatën Energjetike të Kosovës që të rishikojë Matricën e të drejtave për metodën e llogaritjes së vlerësimit për kompensimin e objekteve të banimit në zonën kadastrale Shipitullë të Komunës së Obiliqit.
Matrica duhet ta inkorporojë Planin e Veprimit për Zhvendosje konform dokumentit “Korniza e Politikave për Zhvendosje për zonën Fusha e Mihjes së Re të Republikës së Kosovës’’. Vlerësimet e pasurisë do të kryhen në bazë të praktikës së më hershme të zhvilluar në rastin e vlerësimit të pasurisë së objekteve të ndërtimit në fshatin Hade.Për zbatimin e këtij Vendimi obligohen Korporata Energjetike e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vendimi nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Sipas këtij vendimi të miratuar, banorët e zonës së veçantë në pesë (5) vitet e fundit, në fshatrat Hade dhe Shipitullë, kanë përparësi në kushte të barabarta, në procedurat e punësimit, për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Muaj më parë Kosova rrezikoi që të mbeste pa energji elektrike nga ngërçi që ishte shkaktuar mes banorëve të Hadës e Shipitullës dhe KEK-ut, hall të cilin nuk mund ta zgjidhte as Qeveria e Kosovës, e cila kishte një dozë faji për çështjen e shpronësimit.
Një ditë pasi mori postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj mbajti një takim të gjatë me banorët e zonës, me të cilët arriti marrëveshjen e shpronësimit.