Aktuale
Minarja e xhamisë në Pejë “blindohet” nga antenat e telekomunikimit, institucionet shmangen

Xhamia Kushumli në Pejë është njëri nga objektet fetare më të vjetra në këtë qytet dhe në Kosovë. Duke qenë objekt i tillë, që nga viti 2015 është në mbrojte të përkohshme, si trashëgimi arkitekturore e vendit. Por, kjo nuk është pengesë që të shfrytëzohet edhe për qëllime biznesi, e institucionet qëndrojnë larg deklaratave për këtë çështje.
Minarja e xhamisë 441 vjeçare, tash e një kohë përveç kandilave shoqërues i ka edhe disa antena për telekomunikim, e afër saj një trafo. Në disa foto të siguruar nga Ndërtimi.info, nga njohësi i trashëgimisë dhe anëtari i shoqërisë civile nga Prizreni, Ilir Gashi, shihet se si duket minarja e xhamisë së shekullit XVI.
Nga kush u vendos e a u mor leje për këtë veprim ende nuk dihet. Kjo pas asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk u treguan të gatshëm për një gjë të tillë.
Ndërtimi.info dy ditë radhazi ka tentuar të marrë një deklaratë nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, por që nuk ia doli. Pas disa telefonave, zyrtarë të këtij institucioni thanë se për tu deklaruar duhet të merrej një leje nga Bashkësia Islame e Kosovës. Pas kontaktimit nga Ndërtimi.info një gjë e tillë u mor. Por, edhe pas kësaj Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë nuk ishte i gatshëm të jepte një përgjigje, duke mos iu përgjigjur telefonave të vazhdueshme.
Përveç këtij institucioni, as ai që e ka në mbrojtje këtë xhami nuk u përgjigj për këtë çështje. Pas rekomandimit të Divizioni për Trashëgimi Arkitekturore dhe Arkeologjike që në lidhje me këtë xhami t’i drejtohemi drejtoreshës së Departamenti për i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, nuk u arrit të merret një përgjigje. Drejtoresha e këtij departamenti, Vjollca Aliu nuk është përgjigjur në telefonatat e bëra nga Ndërtimi.info.
