Connect with us

Aktuale

Milionerët që nuk ia paguajnë tatimin shtetit

Published

on

Në Kosovë aktualisht janë të regjistruara 11 institucione mikrofinanciare që aktivitetet e tyre kanë ofrimin e kredive të vogla dhe për kategori të caktuara të përjashtuara nga sistemi bankar komercial dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve në vendet e varfra.

Por këto institucione në Kosovë kanë devijuar nga misioni i tyre. Përgjithësisht, synimi kryesor i tyre është zbutja e varfërisë e jo përfitimi.

Mirëpo, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në qershor të këtij viti sektori mikrofinanciar ka realizuar profit në vlerë prej 3.9 milionë eurosh, kurse norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në qershor të këtij viti u rrit lehtësisht në 22.1 për qind.

“Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rrit për 0.9 pikë përqindje”, thuhet në raportin e BQK-së.

Ndonëse sipas Ligjit nr. 04/L-093, nenit 3 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, këto institucione aktivitet primar kanë dhënien e kredive për ekonomitë familjare me të hyra të ulëta dhe personat me të hyra të ulëta.

“Institucion Mikrofinanciar – person juridik i organizuar ose si OJQ sipas Ligjit për OJQ-të, ose si shoqëri aksionare sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare, aktiviteti primar i të cilit është dhënia e kredive dhe ofrimi i një numri të kufizuar të shërbimeve financiare për mikro dhe subjektet e vogla juridike, ekonomitë familjare me të hyra të ulëta dhe personat me të hyra të ulëta”, thuhet ne nenin 3 të këtij Ligji.

Më 12 prill 2013 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi t’i shpallë jokushtetuese nenet e Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jobankare (Nr. 04/L-093) të cilat e mundësonin transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare.

Në Kosovë, qysh nga viti 1999, OJQ-të mikrofinanciare kanë rritur kapitalin e tyre shumëfish nga kapitali fillestar, kryesisht duke ofruar kredi me përqindje të lartë interesi.

Në raport me këtë çështje, zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e institucioneve mikrofinanciar në Kosovë është shqetësuese pasi këto institucione veprojnë si OJQ dhe janë fitimprurëse, por nuk i paguajnë shtetit tatim.

“Çështja e sektorit mikrofinanciar është shqetësim tek ne. Ky sektor ka pasur rritje të aktivitetit kredidhënës. Vlera e aseteve të tyre ka arritur në 148.2 milionë euro, çfarë do të thotë se kanë pasur rritje vjetore prej 23.7 përqindësh. Këto institucione që ende veprojnë si OJQ me status të organizatës joprofitabile nuk paguajnë tatim për fitimin e realizuar dhe kanë arritur ta dyfishojnë profitin nga 2.4 në 4.1 milion euro”, ka thënë Hadergjonaj.

Ajo ka shtuar se këto institucione japin kredi, kryesisht për ekonomitë familjare, me normë të lartë të interesit që variojnë deri 21.3 %, duke dominuar kështu tek kategoritë e varfra shoqërore. “Mikrofinancat u japin kredi kryesisht ekonomive familjare me normë shumë të lartë të interesit prej 21.3 përqindësh. Fushëveprimtaria e këtyre institucioneve ka mbetur e parregulluar, në mungesë të ligjit që rregullon funksionimin e tyre. Është e pakuptueshme mosgatishmëria e institucioneve dhe reagimet e OJQ-ve sa herë merret një nismë për të rregulluar me ligj fushëveprimtarinë e këtyre institucioneve, duke iu dhënë mundësia të vazhdojnë të realizojnë profit dhe të mos paguajnë tatimin, duke vazhduar kështu të dëmtojnë një kategori të varfër të shoqërisë tonë”, është shprehur ajo.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa ka pohuar se në Ligjin për bankat dhe institucionet jofinanciare kanë qenë të përfshira edhe institucionet mikrofinanciare dhe se kjo, sipas saj, është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese. “Tani ka mbetur për t’u rregulluar kjo çështje me ligj të veçantë. Projektligjin mund ta sjellë Qeveria, por mund të jetë nismë edhe e Kuvendit. Në mandatin e kaluar patëm marrë iniciativë që komisioni, në konsultim me BQK-në, të rregullojë këtë çështje me ligj të veçantë, por nuk arritëm të bëjmë diçka konkrete”, ka thënë Hadergjonaj.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se BQK-ja ka iniciuar projektligjin për institucionet financiare jobankare dhe se projektligj tanimë është në konsultime të brendshme qeveritare.

“BQK-ja ka iniciuar projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe institucione financiare jobankare konform kompetencave ligjore që ka, përderisa tatimi në fitimin e tyre rregullohet me ligjet e tjera aplikative të vendit”, ka thënë Kada.

Ai ka treguar se projektligji për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare është draftuar nga grupi punues i përcaktuar nga Ministria e Financave dhe si i tillë në fillim të muajit nëntor është përcjellë tek kjo ministri për shqyrtim.

“Më tej, pas këtij shqyrtimi ky projektligj është adresuar në konsultime të brendshme qeveritare. Si rrjedhojë, pas kësaj periudhe, respektivisht më 23 nëntor 2017 është lansuar për konsultime publike. Afati për konsultime publike përfundon më 14 dhjetor 2017. Rrjedhimisht, ky projektligj nuk ka bërë dallime në mes të institucioneve mikrofinaciare, respektivisht atyre që paguajnë tatim apo janë të liruara nga tatimi, duke qenë kështu që kjo çështje rregullohet me ligjet e tjera”, ka deklaruar ai.

I pyetur se si përcaktohen normat e interesit në kredi nga ana e tyre, Kada në përgjigjen e tij ka thënë se normat e interesit të këtyre institucioneve përcaktohen në bazë të politikave kreditore dhe kushteve të tregut. “Aktualisht janë të regjistruara 11 institucione mikrofinanciare. Institucionet mikrofinanciare përcaktojnë normat e interesit bazuar në politikat e tyre kreditore dhe në kushtet e tregut”, është shprehur ai.

Profesori universitar i ekonomisë, Fadil Osmani, ka thënë se në harmonizim me Ministrinë e Financave duhet të merren masa ligjore për këto institucione. “Duhet t’u vihet një prag për të kaluar në norma tatimi siç janë bankat, e jo të veprojnë si OJQ, pasi në tilla raste ekziston mundësia e shmangies reale të tatimit në fitim. Prandaj institucionet përgjegjëse do të duhej të dilnin me një qëndrim”, ka thënë Osmani për gazetën “Epoka e re”. Ai ka shtuar se për këto institucione mikrofinanciare duhet të krijohet mundësia e fushëveprimit në atë mënyrë që të mund të monitorohen dhe kontrollohen nga mekanizmat shtetërorë.

Osmani ka thënë normat kaq të larta për kamatën varfërojnë edhe më tutje qytetarët. “Normat kaq të larta të kamatave, pos që varfërojnë qytetarët, krijojnë edhe stres dhe pasiguri si të kredidhënësi ashtu dhe tek kredimarrësi”, ka thënë Osmani./GazetaEpokaere/

 

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending