Ndërtim
Mësohet ku do të merren paratë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për ecurinë e projektit lidhur me ndërtimin e një aeroporti në Vlorë, janë shpejtuar procedurat për realizimin e tij. Por, për një gjë të tillë kërkohet ligj i posaçëm, pasi fjala është një koncesion.
Ligji duhet të përcaktojë autoritetin kontraktor që do të shpallte garën, që sipas gjasave do të jenë dy dikastere: ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Tashmë është bërë publik fakti se është një konsorcium turk, ai që ka paraqitur ofertë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që do të shënonte objektin e parë të këtij lloji pas zgjidhjes së konfliktit ligjor, që nuk lejonte ndërtimin e aeroporteve në territorin shqiptar pa lejen paraprake të kompanisë që administron aeroportin ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë. Tashmë amendimet në koncesionin e vitit 2005 kanë bërë të mundur të ndërtohen aeroporte të tjera, por jo më afër se 100 kilometra nga Rinasi.
Nga burimet pranë qeverisë mësohet se tri kompanitë turke, të grupuara në një konsorcium, do të investojnë rreth 100 milionë euro për të ndërtuar aeroportin, në këmbim të së drejtës së operimit të tij për një periudhë, e cila do të përcaktohet gjatë negociatave.
Kjo ofertë do të trajtohet në kuadrin e projektit më të gjerë të qeverisë Rama për gjetjen dhe investimin e rreth 1 miliard dollarëve në Shqipëri nga kompani të huaja. Por, për të shmangur mangësitë e realitetit shqiptar, qeveria është e gatshme të ofrojë bashkëpunim financiar. Kështu, në projektligjin që po përgatitet për Vlorën mendohet se do të përfshihet një klauzolë e rëndësishme, sipas së cilës riskun e biznesit nuk do ta kenë kompanitë private, por buxheti i shtetit.
Pra, shteti shqiptar do t’i garantojë konsorciumit privat një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni të ngjashme me atë të mirëmbajtjes së rrugës
Durrës-Kukës apo të ndërtimit dhe shfrytëzimit të Rrugës së Arbrit. Nëse kjo e ardhur nuk arrihet nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria u paguan kompanive private diferencën nga buxheti i shtetit.
Pak ditë më parë, sërish kryeministri Rama ka njoftuar se ka një kontakt serioz që ka shfaqur interes edhe për aeroportin e Kukësit. Edhe ky i fundit ka mbetur “viktimë” e marrëveshjes së Rinasit. Në Kukës është gati prej vitesh një pistë për ulje-ngritje avionësh dhe asnjë fluturim nuk është kryer ende nga Kukësi dhe as nuk është nënshkruar ndonjë kontratë me ndonjë kompani për operim në këtë aeroport. Ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarësh, 3 kilometra larg qytetit të Kukësit dhe është i kategorisë ndërkombëtare C.
Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri pesë aeroplanë. Aeroporti është i pajisur me të gjitha mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore. Ai u ndërtua në sajë të një financimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas luftës së Kosovës. Deri tani, disa herë është njoftuar se janë shfaqur investitorë të interesuar për shfrytëzimin e tij, por pa rezultat konkret.
