Featured
Merret vendimi i madh për “Autostradën e Gjilanit” [dokument]

Gjykata e Tenderëve ka hedhur poshtë 12 ankesat e operatorëve ekonomik për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Gjilan dhe hapet rruga për punë, shkruan Ndërtimi.info
Pas shqyrtimit të ankesave të operatorëve ekonomik, paneli shqyrtues vie në përfundim se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës me rastin e rivlerësimit të ofertave ka vepruar duke pasur në konsideratë nenin 1 të Ligjit të Prokurimit. I cili nen parasheh që të sigurohet mënyra më efikase, më transparente dhe më e drejtë për shfrytëzimin e fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burime të tjera, raporton Ndërtimi.info.
Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP)-së, gjithashtu thuhet se paneli shqyrtues ka konstatuar se Ministria e Infrastrukturës ka shpallë fitues ofertat financiare vlera e të cilave në total është më e vogël për 40, 231, 931. 04 euro, se sa vlera e planifikuar për realizimin e këtij aktivitetit. Krahasuar me vlerën totale të ofertave të shpallura fitues me rastin e vlerësimit të ofertave herën e parë, vlera totale e ofertave të shpalluara fitues me rastin e rivlerësimit është më e vogël për 11, 033, 046.88 euro.
Sipas po të njëjtit vendim arsyetohet se operatorët ekonomik fitues të këtij tenderi të njohur më parë edhe si “Tenderi i Natës” që ishte nënshkruar nga qeverisja e kaluar, kanë përmbajtur vlerë financiare më të vogël për secilin LOT veç e veç, në krahasim me vlerat financiare të planifikuar nga Ministria e Infrastrukturës për secilin LOT.
Me rastin e vendosjes dhe vendimmarrjes lidhur me aktivitetin e prokurimit, paneli shqyrtues mori parasysh edhe nenin 104 paragrafi 4 pika (iii) të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
Dhe si përfundim për që nxiti debat që nga nëntori i vitit të kaluar, paneli shqyrtues ka vërtetuar njoftimin për dhënien e kontratës së këtij tenderi me 8 Lote.
Eksperti Shqyrtues i OSHP-së raportin e 22 dhjetorit të 2017-ës ka konstatuar se ky aktivitet i prokurimit është publikuar nga Autoriteti Kontraktues me procedurë të hapur.
“Lloj i kontratës është punë me vlerë të madhe. Në këtë aktivitet të prokurimit janë dorëzuar gjithsesi 27 oferta nga Operatoret Ekonomik. Autoriteti Kontraktues ka formuar komisionin vlerësues në përbërje prej 3 anëtarëve. Autoriteti Kontraktues me rastin e rivlerësimit të ofertave ka eliminuar mbi bazën se nuk i kanë plotësuar disa nga kërkesat formale administrativë OE ankuese “Lika Trade Sh.P.K. & Torifor” Deçan, “Conex Group Sh.P.K Prishtinë-Tiranë. “Sallahu”Kaqanik, “RSM&Benita Comapny”Prishtinë-Klinë, “N.N. “Rukolli” Sh.P.K&N.N. Victoria Invest Sh.P.K” Skënderaj, “Tali&Zuka&AD ILINDEN” Gjilan-Maqedoni, dhe “N.T.SH “Dino”Sh.P.K&NPSH “Bageri”&Vëllëzërit Hysa”, Konjuh/Lipjan&Ferizaj”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Në bazë të saj Ministria e Infrastrukturës me rastin e rivlerësimit të ofertave ka konstatuar se janë të përgjegjshëm administrativisht por janë të pasuksesshëm për shkak se nuk kanë dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët.
Ndryshe, në korrik të vitit të2016-të, ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lutfi Zharku bashkë me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe kryetarët e qyteteve të Anamoravës, kishin prezantuar projektin e autostradës, Prishtinë-Gjilan-Konçul. Gjatësia e autostradës do të ishte 47.1 kilometra e gjatë, ku do përbëhej nga shtatë segmente.
Ndërsa gjerësia e saj u tha se do të jetë 32 metra, si dhe në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen edhe katër ura. Po në këtë prezantim u tregua se autostrada do të lidhë korridorin 6, 7 dhe 10.
Autostrada e Gjilanit, natën e fundit të Qeverisë Mustafa mori nënshkrimin e ministrit Hanefi Muharremi, që kishte shkuar aty në vend të Lutfi Zharkut. E së fundmi kjo çështje mori vëmendjen e të gjithëve, pasi që në rishikimin e buxhetit që u shkurtua nga 2 miliardë në 1.8 miliard, u konfirmuar se është hequr nga buxheti, Autostrada Prishtinë-Gjilan. Buxheti i shumëtrumbetuar 2 miliardësh nga Qeverisja Mustafa, sipas ministrit të tashëm Bedri Hamza ka qenë i mbështetur në baza fiktive dhe jo të sigurta, duke lënë shumë projekte pezull.
Në vijim keni dokumentin e plotë dhe do ketë artikuj tjerë në vijim gjatë ditëve:
[pdf-embedder url=”https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/02/475-481-484-488-498-492-493-495-497-498-499-17vendim.pdf” title=”OSHP – Vendimi”]
