Aktuale
Memoriali i Reçakut zor se përfundon [video]
Për viktimat e gjenocidit serb në Reçak ka një memorial. Mirëpo, punët në Memorialin Përkujtimor të Reçakut nuk po ndalen. Vitin e kaluar atje u rregullua bazamenti i bustit të ish-ambasadorit të OSCE-së në Kosovë William Walker.
E sivjet përsëri ka punë në këtë bust. Adnan Elshani nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka shpjeguar punët që do të bëhen në bazament.
“Pjesa e dytë e bazamentit ka me u përfundu me elektriken, ka me u ndërtu një pjesë e parkingut dhe pjesa e parkingut poshtë. Parkingu lartë është edhe për të hendikepuar, bashkë me stazën që vjen rrotull dhe ofrohet ku ka mundësi me pasë qasje deri te shtatorja e Wlakerit. Pjesa tjetër është restaurimi i dëmtimeve”, tha Elshani.
Mirëpo atyre u kanë dalë disa gjëra jashtë kontrollit. Në këtë kompleks një gjë është planifikuar, por nuk ka qenë në para masë.
“Aktualisht e kemi një problem. Pjesa ku do të ndërtohet parkingu, nuk është paraparë në para masë kanalizimi atmosferikë dhe i ujërave të zeza, e në projekt është. Do ta shohim mënyrën se si do ta ekzekutojmë”, shtoi ai.
E punët aq të mëdha janë sa që ende duhet vazhduar me tenderë për ta përfunduar projektin në tërësi.
“Është edhe një sy i kaltër aty me fontanë, më pas ka me u bë restaurimi dhe konservimi i shtëpive ku ka ndodhur masakra”, potencoi Elshani.
Kjo agjenci ka marrë vërejtje nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në lidhje me një paradhënie që i ka dhënë kompanisë e cila ka punuar në bazamentin e bustit të William Walkerit. Por kjo del të ketë qenë një gabim teknik, thotë Elshani.
“Ka qenë gabim teknik, se në periudhën e nëntorit në vend se 10% avans është dhënë 15%”, përfundoi Elshani.
Për këtë kompleks deri tash kanë shkuar mbi 200 mijë euro, që priten të rriten vitet e ardhshme
You must be logged in to post a comment Login