Aktuale
“Meeting of Styles” transformon edhe një pjesë të degraduar të qytetit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/67776136_936230103390613_8111734853113741312_n.jpg)
Edicioni i tretë i festivalit “Meeting of Styles Kosovo” i cili u mbajt përgjatë tri ditëve nga 26 deri më 28 korrik, këtë herë transformoi 2835 metra katrore të murit në rrugën “Tirana” në Prishtinë, shkruan Ndërtimi.info.
188 artistë nga 36 shtete të botës morën rrugën për në Prishtinë për të aplikuar artin e tyre në murin prapa stacionit të trenit, i cili në përfundim të festivalit mori një pamje krejt tjetër.
Festivali ndërkombëtar “Meeting of Styles Kosovo”, është festivali i parë i kësaj natyre në Kosovë dhe rajon, ku mbledh aq shume artistë të disiplinave të ndryshme artistike për ta shndërruar në hapësirë atraktive ndonjë pjesë të degraduar në qytet, mirëpo gjithashtu duke i mundësuar artistëve të rinj, talentëve të rinj si dhe qytetarëve që të përfitojnë nga aktivitetet e shumta që do të ofrojë MOS në Prishtinë.
Përveç pikturimeve të bëra në mur, në po të njëjtën zonë u mbajtën edhe disa aktivitete të tjera që e karakterizuan atë.
Punëtoria “Street Art Academy” u zhvillua në bashkëpunim me artistët Semir Esiem, Arjan Sufa, Rrezart Dujaka dhe artistë të tjerë të vendit, rajonit dhe të huaj. Pjesëmarrësit patën mundësi që gjatë kohës së punëtorisë të praktikojnë ato teknika që i mësuan nga ekspertët/trajnerët. Ajo u mbajt në vagonët e improvizuar në po atë zonë.
Në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, organizata “Q’art” gjithashtu organizuan panairin e quajtur “n’Tren”, ku kishin marrë në shfrytëzim një vagon të pashfrytëzuar për ta parkuar afër aktivitetit dhe u përdor si hapësirë dhe platformë për panairin me produkte dhe punime të punuara nga artistë të vendit.
Gjithashtu festivali ofroi edhe ditë dhe netë argëtuese me muzikë dhe pije, ku performuan edhe disa artistë të njohur si Bimbimma , Splitkid, Fulz, Tiny Jackal dhe One-ab.
Ky festival synon që të shndërroj Prishtinën kryeqytet të “street art” apo “artit të rrugës” për rajon dhe qendër të bashkëpunimit ndërkombëtar, të krijojë gjenerata të reja kreative, të përmirësojë imazhin e qytetit përmes hapësirave të trajtuara dhe të edukojë dhe përfshijë të rinjtë në kulturë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)