Aktuale
Mediat dhe arkitektura

Detikuar njëvjetorit të mediumit Ndërtimi.info
shkruan: arkitekt Arber Sadiki
Gjithmonë kam menduar, dhe vazhdoj të mendoj, se e drejta për hapsirë, është e drejtë thelbësore e çdo qenie biologjike, drejtë të cilën secila qenie e fiton me lindje, me vet faktin e ekzistencës së saj.
Arkitektura, si një nga lëmitë që në qendër të interesit të saj ka pikërisht trajtimin e hapsirës, në këtë drejtim ka një obligim të jashtëzakonshëm për ndikimin e saj në cilësinë hapësinore që i ofron çdo qenie biologjike. Fakti i interferimit të arkitekturës në jetën e gjithësecilit, e bënë atë profesion tejet të ndjeshëm dhe e obligon që procesi i bërjes së saj të jetë tejet transparent dhe gjithpërfshirës.
Arkitketura nuk i përket vetëm arkitektëve, urbanistëve, investitorëve, pushtetarëve, ajo i përket gjithsecilit dhe se në zhvillimin e saj ka të drejtë pjesëmarrjeje gjithsecili. Aristoteli mendonte se qyteti duhet të jetë i madh “aq deri ku dëgjohet zëri i njeriut”! Ai këtu nuk fliste për britmë fizike zanore, për për demokraci të pjesmarrjes së qytetarit në zhvillimin e hapsirës. Profesor Bashkim Fehmiu, thoshte:
“Duhet m’e qitë në shesh
problemin arqitektural,
E jo me e mbajtë
n’rreth profesional!
Sepse Arqitektura âsht
veprimtari shoqnore
Dhe si e tillë,
mundet,
duhet
me u kritikue.’’
(“Poemza e arqitekturës”, Bashkim Fehmiu, 1954, Beograd)
Në këtë drejtim mediat, si mjet i komunikimit me publikun, luajnë një rol të jashtëzakonshëm. Ato bëjnë të mundur që arkitektura të jetë më afër qytetarit por edhe zëri i qytetarit aristetolian të jetë më afër arkitketurës. Kjo, jo vetëm që kryen shërbim ndaj qytetarit, por edhe ndaj arkitekturës, thelbi i së cilës është të ofrojë shërbime kualitative për ta. E si mund ta bëjë këtë pa i dëgjuar?! Pra, pjesmarrja e qytetarëve ndikon pozitivisht në kualitetin arkitekturor.
Mos ekzistimi në shoqërinë tonë i mediave të profilizuara për arkitekturë, ikja nga informimi dhe kyçja e qytetarëve në këto procese, na ka sjellur në këtë kualitet hapsinor dhe arkitekturor që ne kemi sot.
Informimi i qytetarëve nuk është vetëm obligim moral profesional, por edhe kushtetues. Arkitektura tërheq pas vete konsulacione të fuqishme financiare, qoftë të fondeve publike apo edhe private, për të cilat qytetari duhet të jetë i njoftuar.
Është inkurajues fakti që kohëve të fundit ka përpjekje për të profilizuar media me fokus të veçantë arkitekturën dhe zhvillimin hapësinor në përgjithësi. Mëtojnë të kryejnë misionin e ndërlidhjes së arkitekturës me qytetarin. Mision ky sa fisnik aq edhe i ndjeshëm. Uroj që këtë mision të mos e vëjnë asnjëherë pjesë të kompromiseve të insituatave qoftë të shtrëngimeve, qoftë të joshjeve nga grupet e interesit, me të cilat detyrimisht do të ballafaqohen. Në këtë plan, ka media që e kanë dëshmuar se testet e para i kanë kaluar me sukses. Kjo është inkurajuese!
