Aktuale
Me vetëm 8 faqe aktakuzë dhe një dëshmitar, Prokuroria synon të vërtetojë fajësinë e 5 inspektorëve
Mungesa e njërit të akuzuar ka bërë që të shtyhet procesi gjyqësor ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe 4 inspektorëve të Komunës së Prizrenit.
Ata po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet pa leje në Prevallë. E këtë të hënë ishte caktuar seanca fillestare për rastin, raporton KTV.
Inspektorët e ndërtimit: Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi, Ruzhdi Daka dhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit akuzohen se si persona zyrtarë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për pronarët e objekteve pa leje ndërtimore në rajonin e Parkut Nacional “Sharri“ në Prevallë dhe shkaktimit të dëmit për Parkun Nacional dhe shtetin e Kosovës, kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në aktakuzën prej vetëm 8 faqesh të përpiluar nga Prokuroria e Shtetit thuhet se inspektorët e ndërtimit i kishin mundësuar secilit pronar të objekteve të ndërtuara të përfitonin dobi pasurore mbi 10 mijë euro, duke degraduar mjedisin.
Me vetëm një dëshmitar të propozuar dhe disa dokumentacione të propozuara nga prokurorja Merita Bina Rugova, në këtë aktakuzë pretendon se ka prova të mjaftueshme dhe të pakontestueshme ndaj 5 inspektorëve dhe fajësisë së tyre.
Prokuroria tashmë ka pushuar hetimet për inspektorin Bahti Nebiu, për shkak se është parashkruar vepra penale.
Sipas aktakuzës, e cila u ngrit dy muaj më parë, 4 inspektorët e ndërtimit e kanë kryer veprën penale për 7 vjet me radhë, duke mos zbatuar shumë vendime për rrënime të objekteve pa leje në Prevallë.