Aktuale
Me rreth 10 ditë vonesë nisin punimet në zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës nga Veterniku

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, më 10 qershor pati njoftuar se ka nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidh rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.
MIT thoshte se ky projekt është tejet i rëndësishëm për këtë zonë të mbingarkuar nga komunikacioni, nga frekuentimi i madh i veturave që hyjnë dhe dalin në kryeqytet, por edhe lidhen me vende të tjera.
“Projekti me vlerë mbi 2.5 milionë euro do të fillojë në fund të muajit qershor dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është e përkushtuar që të zhvillohet sipas planit dinamik të punimeve, duke evituar çfarëdo vonese në përfundim të punimeve me kohë”, pati theksuar kjo ministri në njoftimin për media të datës 10 qershor.
Ndërkaq, kjo ministri sot ka dërguar një njoftim për media duke thënë se të mërkurën (10.07.2019), ministri Pal Lekaj do të marrë pjesë në fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.
Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, të kontaktuar nga Koha.net, patën thënë se kohëzgjatja e kryerjes së punimeve në këtë segment do të jetë 180 ditë pune.
