Aktuale
Më pak ndërtime pa leje këtë vit në Prizren

Viti që po lëmë pas kah shënuar rënie të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prizrenit.
Por numri është shtuar tek ndërtimet me leje për objektet kolektive për banim, biznes dhe administratë, kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info Lis Dorambari, zyrtar për marrdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit.
“Lidhur me ndërtimet në qytetin e Prizrenit, brenda këtij viti ka rënie të numrit të ndërtimeve pa leje, ashtu që pronarët apo investitorët u janë drejtuar organeve kompetente për t’u pajisur me leje ndërtimi. Në krahasim me vitet e kaluara, është shtuar numri i ndërtimeve me leje për objektet kolektive për banim, biznes dhe administratë”, tregon Dorambari.
Gjatë kësaj periudhe kohore në Prizren janë inspektuar 89 ndërtime në të cilat inspektorati komuna i ndërtimtarisë ka hasur në parregullsitë që janë bërë gjatë ndërtimit.
Parregullsi këto që kanë bërë inspektoratin t’ua ndaloj punimet.
“Për këtë periudhë raportuese Inspektorati Komunal i ndërtimtarisë ka inspektuar 89 raste, ku është dashur të intervenojë në parregullsitë e hasura gjatë ndërtimit, duke urdhëruar ndalimin e punimeve të mëtejmë si në lokacionet ku jepet leje ndërtimore, ashtu edhe në pjesët periferike ku ende nuk ka plan urbanistik”, ka bërë të ditur Dorambari.
Ndërkaq, në gjashtë raste brenda vitit 2018-të është intervenuar duke ekzekutuar objektet apo pjesët e tyre pa leje ndërtimore.
“Në gjashtë raste është intervenuar duke ekzekutuar objektet apo një pjesë të tyre pa leje ndërtimore, ose që janë bërë në kundërshtim me lejen ndërtimore”, thuhet më tej në përgjigjen e Dorambarit për Ndërtimi.info
Ndërkohë, kujtojmë se në fund të nëntorit, më saktësisht me 29 nëntor 2018, Komisioni Disiplinor i Komunës së Prizrenit ka suspenduar 4 inspektorë të ndërtimit për shkak të neglizhencës në punë dhe për shkak të të gjeturave në terren.
