Aktuale
Më në fund sot vihet gurthemeli i Spitalit të Ferizajt

Pas shumë vitesh të idesë për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt e shumë kundërshtimeve për lokacioni, tek sot do të vihet gurthemeli për këtë objekt.
Ndonëse ishte paraparë që punimet për ndërtimin e këtij spitali të fillonte ditë më parë por ka qenë agjenda e ngjeshur e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, që ka bërë të shtyhet vënia e gurthemelit për këtë projekt.
Spitali në Ferizaj do të ndërtohet nga kompania “Arbëria Com” për një shumë prej 10 milionë e 235 mijë euro. Ku faza e ndërtimit është paraparë të zgjatë 3 vjet, shkruan Ndërtimi.info
Sipas Planit Zhvillimor Komunal, parcela për ndërtimin e Spitalit Rajonal është e planifikuar te parku “Liria”, e cila ka një sipërfaqe të mjaftueshme për një projekt të tillë. Mirëpo pavarësisht kësaj, Komuna e Ferizajt vazhdon të jetë e vendosur se godina e spitalit do të nisë te Tregu i kafshëve.
Ndërtimi i kësaj godine shëndetësore është menduar të jetë i përbërë nga Bodrumi+Suteren+Përdhesë+4 kate. Në tërësi është menduar të ketë kapacitet 250 shtretër.
Në vënien e gurthemelit që do bëhet në ora 16:00 do të marr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Rikujtomë se qysh në vitin 2016-të Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë mendjen që të hapte tenderin për “Ndërtimin e “Spitalit Regjional të Ferizajt”.
Vlera e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërtimin e kësaj godine shëndetësore për herë të parë ishte vendosur 8,980,231.93 euro. Por dy muaj më vonë MSH e përmirëson veten dhe thotë se vlera e parashikuar është 11,981,921.3 euro. E ditët për kryerje të projektit u vendosen të ishin 300 ditë pune, si projekt 3 vjeçar, ku në vitin e parë investimi të ishte 20%, teksa dy vitet tjera me nga 40%.
Pas procedurave, fitues i parë i këtij tenderi ka qenë “Al-Trade” më 18 nëntor 2016. Pas një ankese në OSHP, “Al-Trade”-s i anulohet ky tender me vlerë 9,468,000.94 euro. Tenderi anulohet pas ankesës në OSHP më 7 shkurt 2017.
Në mars të 2017-s, Ministria e Shëndetësisë vendos që tenderin t’ia japë një konzorciumi i përbërë nga “Favor-Ing”, “As-Ing” dhe “Çlirimi”. Vlera e kontratës te ky konzorcium ishte më e vogël se sa me “Al-Trade”. Ajo ishte 8,916,285.44 euro. Mirëpo edhe ky tender u anulua më 17 korrik 2017, pasi ankesat kishin shkuar në OSHP.
Më 24 korrik, MSH përsëri e jep kontratën te një kompani tjetër. Por, rrjedhimisht po rritet edhe vlera e kontratës së ofruar nga Operatori Ekonomik, që kësaj radhe ishte “Arberia Com”. Vlera e ofruar nga ata është 10,235,587.105 euro. Mirëpo, kaq pastër nuk do të kalojë as kjo kompani.
