Aktuale
Mbyllet për 6 muaj memoriali i Skëndërbeut në Lezhë

Vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë për 6 muaj do të jetë i mbyllur për vizitorët.
Memoriali do t’i nënshtrohet të parit rikonstruksion të plotë në 37 vitet e fundit dhe në fund pritet të ketë një pamje të re.
Ministria e Kulturës ka nisur zbatimin e projektit të Bashkisë Lezhë edhe në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut ka ndërmarrë rikonstruktimin e këtij monumenti, bën të ditur oranews.
Sipas Paulin Zefit, “do preket gjithçka, në çdo detaj duke nisur nga shkallët, tek ura hyrëse, rrugica, zbardhja e pllakave prej mermeri, i kolonave, sistemi i ri i ndriçimit.”
Përgjegjisi i Trashegimisë Kulturore, Paulin Zefi, thotë se do të preken të gjithë elementet përbëres, por duhej t’i jepej rëndësi edhe gërmimeve arkeologjike.
Paulin Zefi thotë se “e rëndësishme është që do të trajtohet në veçanti afresku i Shën Nikollit, pastroi i kësaj kishe që ndodhet në pjesën e djathtë. Njëkohësisht përveç trajtimit të objektit duhet të financohen dhe gërmimet arkeologjike përreth hapësirës muzeale, duhet të ekspozohet gjithçka dhe jo të lihet në gjendjen aktuale.”
Vendvarrimi i Skënderbeut është një prej destinacioneve kryesore të turistëve në Lezhë.
Ai shtrihet në zemër të qytetit antik të Lissusit. Sipërfaqja e vetë memorialit është rreth 225 metër katror me lartësi 11 metra, ndërsa muret janë origjinale të kishës së Shën-Nikollit.
Memoriali i Skenderbeut evidenton dy nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar, mbajtjen e Kuvendit të Lezhës më 2 mars 1444 dhe vendin e varrimit të Skënderbeut, i cili vdiq në Lezhe më 17 janar 1468.
