Aktuale
Mbyllen lokalet në Mirushë

Këta vizitorë po shijojnë bukuritë e Ujëvarës së Mirushës nga ulëset e këtij lokali. Por një kënaqësi e tillë për vizitorët e ardhshëm mbase nuk do të zgjas shumë.
Kjo pasi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka urdhëruar inspektorët komunal që dy lokalet afariste, njëri në territorin e Klinës e tjetri në atë të Malishevës të largohen.
Ata kanë afat brenda 30 dite të bëjnë rrënimin e objektit, në rast se pronarët nuk i rrënojnë me vetë dëshirë, atëherë drejtoria e inspektoratit obligohet që t’i rrënojë ato objekte.
Pronarët e bizneseve që nuk kanë dashur të flasin para kamerave thonë se nuk pajtohen me vendimin e ministrisë pasi që sipas tyre, ata pos përfitimeve janë përkujdesur edhe për mirëmbajtjen e vendeve dhe sigurinë e vizitorëve.
Në krah atyre po iu dalin edhe vizitorët e intervistuar.
“Do të ishte mirë të ishte ndonjë lokal këtu përshkak të pushimit, relaksimit” tha njëri prej vizitorëve.
“Me u ul me pushu pak, me pi ndonjë gjë, se në rast se nuk do ishte lokali atëherë ku me pushu na”, tha tjetri vizitor.
Por Leutrim Sahiti këshilltar për media në Ministrinë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë sqaroi për Klanin përmes telefonit se ajo pjesë cilësohet si zonë e parë afër hapësirë me rënësi të veçantë andaj ndalohet çdo intervenim i jashtëm duke shtuar se pas rrënimit aty do të intervenohet në mirëmbajtje dhe siguri të vizitorëve.
Veç dy lokaleve nga aty ministria kërkoi edhe largimin e dy fotografive, atë të Skënderbeut dhe Adem Jasharit.
Por drejtoria e inspektoratit nuk kanë marrë masa për largimin e atyre fotografive.
Megjithatë, Ilir Morina nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit tha se me gjithë respektin për dy figurat vendosja e fotografive të tyre aty është ndërhyrje e jashtme në zonën me rëndësi të veçantë, çka është e ndaluar me ligj.
