Aktuale
Mbulimi i muralit në Prishtinë nxit kërkesën për ligj që i mbron
Një vajzë, në sfond të së cilës ishte një alamet qyteti, për gati katër muaj ka qëndruar si vepër arti në shtyllat e rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës nga ana e Fushë-Kosovës. Por të hënën e kësaj jave është mbuluar me ngjyrë të hirtë.
Ky fakt ka ngjallur reagime nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës e nga organizatat që e ka organizuar festivalin, produkt i të cilit ishte murali. Prishtina është përballur edhe vitin e kaluar me veprime të ngjashme. E krejt këto kanë sjellë idenë që ky lloj i artit në hapësira publike të mbrohet me ligj. Në fillim të vitit të kaluar në dy lokacione në kryeqytet muralet qenë mbuluar me reklama, shkruan sot Koha Ditore.
Sa i përket rastit të fundit, Agon Xhelili, drejtor ekzekutiv i “Qendrës për Zhvillimin e Artit – Q’art” ka thënë se të martën kanë parë që murali është mbuluar pas një intervenimi që është bërë në atë pjesë. Dy murale të tjera afër atij të artistit parisian i njohur me emrin Ludo nuk janë prekur. Vepra e mbuluar ishte punuar në fillim të muajit gusht të këtij viti, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Guerilla Art Festival”. Në skajin e djathtë të saj, artisti kishte shkruar nofkën e tij me germa të mëdha – “LUDO”. Bëhet fjalë për artistin e lindur më 1976, i cili është i njohur për ciklin e veprave “Nature’s Revenge” (Hakmarrja e natyrës). Nëpërmjet ekspozitave e ndërhyrjeve të tij ka lënë gjurmë në vende të ndryshme të botës. Parisi, Berlini, Amsterdami, New Yorku e Londra janë veç disa prej qyteteve ku ai kishte shprehur shkathtësinë. E Prishtina nuk e ka “duruar” veprën e tij as katër muaj.
Xhelili ka thënë se si organizatë nuk kanë dashur të reagojnë pa i gjetur përgjegjësit që e kanë mbuluar veprën e Ludos.
“Me gjasë janë të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Të enjten e kemi një takim me zyrtarët e kësaj ministrie mbi të cilën bie përgjegjësia”, ka thënë ai.
Por Filloretë Konjuhi, zëdhënëse e MIT-së, i ka thënë të mërkurën mbrëma gazetës se gjatë gjithë ditës janë marrë me këtë çështje, por mbulimi nuk është bërë me urdhër të zyrtarëve të Ministrisë.
“Por situata do të sqarohet të enjten”, ka thënë Konjuhi.