Aktuale
Mbrojtja s’pranon ekspertizën për rastin Tafallari, caktohet edhe një seancë

Është mbajtur seanca gjyqësore për rastin “Tafallari”, shkruan Ndërtimi.info. Në seancë është deklaruar i pafajshëm shoferi i kamionit me të cilin është goditur i ndjeri Tafil Tafallari. Në seancë ka deklaruar edhe dëshmitari Nazim Bunjaku, dhe eksperti i ekspertizës, Arsim Aliu, inxhinier i komunikacionit.
Shkëndije Ahmeti
Pas paraqitjes se ekspertizës, pati kundërshtime nga avokati i palës mbrojtëse, Ramiz Krasniqi.Kjo meqë avokati Krasniqi e kontestoi deklaratën e ekspertit të ekspertizës si të pabazuar për këtë rast.
Që pala mbrojtëse të ketë një ekspertizë të sajën u pajtua edhe prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, por që thotë se e mbështet ekspertizën aktuale, raporton Ndertimi.info.
“E kontestoj mendimin e ekspertit të pabazuar, të hamendësuar e aq më parë kur eksperti ka thënë se këtë mendim e ka bazuar në të dhëna shkencore, profesionale dhe sipas rregullave të përgjithshme të komunikacionit e për të cilat sot nuk na tha asgjë, por doli e kundërta se eksperti në këto të dhëna nuk e ka bazuar mendimin e vetë por në një pjesë të deklaratave të dëshmitarëve. I propozoj gjykatës që të bëhet ekspertizë e re nga një grup ekspertësh”, tha Krasniqi.
Ndërsa eksperti në deklarimin e tij tha se gjitha ngjarja ka ardhur shkak i moskujdesit të shoferit, ku ka theksuar se shkak i erës këmbësori, pra në këtë rast i ndjeri Tafallari ka pasur një kapelë në kokë e cila ka penguar që ai të dëgjojë zhurmën e kamionit.
Karshi kësaj pati pyetje nga avokati Krasniqi, i cili pyeti se a ka gjasa më të mëdha që këmbësori mos të ketë dëgjuar zhurmën, apo mos të ketë parë kamionin fare, ku sipas ekspertit ekzistojnë të dy mundësitë.
Gjithçka që është bërë në ekspertizë, Aliu thotë ta ketë bazuar në pozitën përfundimtare të autocisternës dhe këmbësorit, konfiguracionit të terrenit dhe dëshmive tjera.
Edhe këtu pati reagim të avokatit Krasniqi. Ai i tha se këto mendime duhet bazuar ndokund. Por Aliu ka kritikuar edhe policin e hetuesisë ku ka thënë se ai ka bërë gabim pasi ka marr dëshmitë një ditë pas ngjarjes.
“Është mendimi, Se tash nuk mundem me konstatu nëse nuk ka material përpara. Gabim i policit hetues. Deklaratat i ka marr të nesërmen. Gabim i jashtëzakonshëm. Ky është rast me fatalitet, ka humbur jetë një njeri. Këto dëshmi duhet me i marr menjëhere në vendin e ngjarjes e jo të lihet të nesërmen. Në bazë të këtyre dëshmive e kam dhënë mendimin. Arsyeja pse e kam dhënë mendimin, jam bazuar në pozitën përfundimtare të këmbësorit edhe në kallëzimin penal ceket se viktima ka rrëshqit, por ku na asnjë bazë…duke marr parasysh edhe tereni qysh ka qenë atëherë nuk kam pas mundësi me dhënë mendime tjera… Nuk mund të jenë supozime”.
Në seancë në mesin e tre dëshmitarëve i pranishëm ishte vetëm dëshmitari Nazim Bunjaku, i cili ka treguar për ngjarjen që ka parë atë ditë. Ai deklaroi se në ato momente këmbësori dhe kamioni ishin duke ecur paralelisht dhe me të parë që këmbësori është goditur i ka bërë me shenja shoferit për ta ndalur kamionin.
I pyetur nga prokurori i rastit, Ismet Rrahmani se a e ka parë që ka rrëshqit këmbësori, Bunjaki në pozitën e dëshmitarit mendimin e tij e ka bazuar në atë se ekziston mundësia, por që nuk e ka parë të ketë rrëshqitur.
Unë nuk e kam pa që ka rrëshqit por në bazë të terrenit është që ka rrëshqit”, tha ai.
Seanca e radhës do të mbahet pasi gjykata të pranoj ekspertizën që do ta bëjë pala mbrojtëse.
