Aktuale
Mbrojtësit e objektit teatror në Shqipëri e quajnë kauzën shpresë për liri
Një grup aktorësh nga Shqipëria, të enjten për disa orë kanë pushuar së bëri rojë në objektin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, me qëllim që kauzën e tyre ta shpalosin edhe para kolegëve të tyre në Prishtinë.
Janë pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Anëtarë të saj, prej verës së vitit të kaluar, e ruajnë godinën 80-vjeçare të institucionit teatror në Tiranë, të cilën Qeveria e Ramës ia ka mësyrë ta rrafshojë, shkruan sot Koha Ditore.
Për ta krejt kjo është kauzë më e madhe sesa mbrojtja e një monumenti. Sipas tyre, nëse Aleanca ia del atëherë ka shpresë për liri në Shqipëri.
Ndërtimi i një teatri të ri në Tiranë nuk i pengon. Madje përfaqësuesit e këtij grupimi janë për disa skena të reja teatrore në kryeqytetin shqiptar. E vetmja gjë që nuk mund të bëjnë kompromis është rrënimi i objektit aktual të Teatrit Kombëtar. Kujtesa kolektive, vlera arkitekturore e rëndësia historike e objektit për kryeqytetin janë argumentet kryesore të Aleancës që kundërshton rrënimin e objektit. Hall i tyre është edhe mundësia e keqpërdorimit të pronës publike prapa objektit për përfitime ekonomike nga pushtetarët.
Qëndrimet e tyre anëtarët e Aleancës i kanë shpalosur në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Të ftuar nga qendra “Multimedia”, përfaqësuesit e Aleancës: Edmond Budina, Gent Gaba, Neritan Liçaj, Adriana Tolka dhe Juli Emiri kanë bashkëbiseduar me kolegët nga Kosova rreth protestës së vazhdueshme. Aktualisht Teatri Kombëtar është i “pushtuar” nga Aleanca. Japin shfaqje, hapin ekspozita e zhvillojnë aktivitete të tjera pa u ndikuar nga shteti. Objekti nuk ka rrymë e ujë. Mirëmbahet nga mjetet që japin artistët e qytetarët e tjerë që janë kundër rrënimit.