Aktuale
Mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit dhe aktivizohet fondi prej 1 milion lekësh
Kryeministri Rama ka mbledhur këtë të dielë komitetin kombëtar të rindërtimit, një strukturë e cila sipas tij do të vendosë vulën e procesit për menaxhimin e fondeve dhe situatës katastrofale nga e cila doli Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit.
Rama e ka thirrur mbledhjen në zyrën e këshillit të Ministrave, teksa në krah të tij qëndrojnë dy drejtuesit e organizatave që kanë mbledhur miliona dollarë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, Arbër Hajdarin e “Fundjavë Ndryshe” dhe imamin Elvis Naçi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”.
Rama u shpreh se i keqardhur për mungesën e opozitës, teksa tha se në mbledhje kanë ardhur të gjithë përfaqësuesit që mund dhe do të ndihmojnë vendin për menaxhimin e situatës tragjike.
“Në këto kushte edhe buxheti i shtetit duhet të jetë i monitoruar nga një mekanizëm transparence, ashtu sikundër edhe fondet e mbledhura nga organizatat e solidaritetit, të cilat janë përfaqësuar denjësisht nga tre persona që janë të njohur për të gjithë shqiptarët.
Ketu në këtë komitet janë të ftuar Akademia e Shkencave, Univesiteti dhe shoqatat relevante të arkitektëve, urbanistëve e inxhinierëve dhe po ashtu janë prezentë bankat e nivelit të dytë të përfaqësuara nga kryetari i shoqatës së bankave.
Pra jemi të tërë këtu që sjellim jo thjesht dhe vetëm kontribute financiare por edhe kontribute profesionale për të ndihmuar në procesin e jetësimit të programit.
Nuk dua të marr kohë sepse me siguri të gjithë ata që janë të pranishëm kanë diçka për të thënë, në këtë fazë që do të jetë kalimtare, por jo shumë e shpejtë. Do doja që të ishte këtu dhe opozita, janë gjithmonë të mirëpritur pasi këtu nuk kemi çfarë të ndajmë. Besoj se ajo çka i dan me mua është barra kolosale e kësaj sfide jo thjesht në aspektin financiar. Nuk është e thënë që t’i kesh fondet dhe të kesh sukses nëse nuk organizohemi e koordinohemi si duhet me ato fonde që kemi apo do të kemi në dispozicion. Të bëjmë çmos që të ulim në maksimum shfaqjet sporadike”, ka thënë ai.