Connect with us

Arkitekturë

Mbi nostalgjinë në arkitekturë e kolazhe, dhe një kritikë e vogël rreth viteve 50-ta

Published

on

Shkruan: Tea Mersuli

Ekziston një teori, deri diku gjerësisht e pranuar mes sociologësh e historianësh, mbi mbarimin e fillimit të shekullit të 21, ose fillimin e mbarimit të fillimit të këtij shekulli, rreth një pauze nostalgjike a tentativë rikthimi në të shkuarën që ka mbështjellë botën mbarë, veçanërisht Perëndimin, si në aspektin politik, e në atë social e kulturor.

Kjo nostalgji, që në politikë ka mbërritur nëpërmjet rizgjimit të së djathtës ekstreme, dhe më pak, edhe së majtës ekstreme, në kulturë shfaqet ndjeshëm në veshje, aksesorë, kinematografi, fotografi e arkitekturë, ku spikasin risjellje elementësh estetikë të periudhës moderniste e postmoderniste, e ku më së shumti, vitet e fundit risillen ndjeshëm me nostalgji vitet 70-80të.

Kjo rrymë nostalgjie, për vite me radhë, është ndeshur me një rezistencë të fortë mes kritikësh arti e sociologësh në Op-ed e mediave pretigjoze botërore, të cilët kanë kritikuar lindjen e një kulture “copycat”, jo origjinale dhe inovative, të bazuar mbi një nostalgji të papërjetuar vetë e të romantizuar e idealizuar përtej realitetit etj. Nqs kritika e nostalgjisë në politikë është më e lehtë për tu identifikuar, kanalizuar dhe sintetizuar, arti dhe kultura, e mes tyre, arkitektura, rivijnë më pak të unifikuar, e kësisoj më vështirë për t’u mohuar ose mbështetur.

Nisur nga domethënia psikologjike e nostalgjisë, si “mall për shtëpinë”, nëse koncepti shtrihet në nivel social, bazuar dhe në dialektikën e Hegelit, kulturalisht ndodhemi në një moment pauze a reflektimi pas përfundimit të dy cikleve të kundërta socio-kulturore, të cilat kanë nevojë për një cikël të tretë kohor, nëpërmjet të cilit, do të peshohen e do të kalohen në sitë dy ciklet, në mënyrë që të gjendet mbase rruga e tretë. Arkitektonikisht, trendet në ndërtim sot frymëzohen pikërisht nga kjo dukuri, huazojnë dhe idealizojnë modernizmin dhe postmodernizmin, dhe në disa raste i tejkalojnë të dy, duke krijuar një rrugë të tretë: transmodernizmin. Arkitektura e ditëve të sotme ndërthur aksioma të modernizmit me postmodernizmin dhe gjithë nënrrymat arkitektonike mes tyre duke bashkuar elemente të minimalizmit me poetiken e ironinë e postmodernizmit, dashurinë për betonin të brutalizmit me lokalitetin e postmodernizmit, karakterin industrial, racional e funksional të modernizmit me lulet, mermerin e rozën e zbehtë të postmodernizmit etj, etj.

Nqs nostalgjia përbën një domosdoshmëri sociale si pasojë e mbingopjes me aktualen dhe nevojës për reflektim për të rinisur, si në rastin e transmodernizmit, i cili nuk përbën neoizëm, pyetja që shtrohet është pse ekziston kritikë kundrejt saj. Dhe për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të bëhet rikthim më pak nostalgjik në fillimet e modernizmit, dhe pak më herët, në Rilindje. Koncepti i artit si domosdoshmërisht autentik dhe inovativ, i ndarë nga “craft”, ka lindur nga artistët e Rilindjes, ku për herë të parë emri i artistit lidhej fort me veprën e tij, kjo përkundrejt artit mesjetar e atij arkaik, i cili bazohej mbi parimin e ripërsëritjes e riprodhimit të së njëjtës vepre. Në arkitekturë, autenticiteti dhe inovacioni, si vlera themelore të një vepre, bashkëngjitur me theksimin e emrit të arkitektit, lindi rishtazi si dukuri në fillimshekullin e 20të, me modernistët. Për të kuptuar dhe kohët e sotme, vendosur në kontekst, modernistët ishin pjesë përbërëse e një kulture në hov, entuziaste për të sotmen dhe të nesërmen, pa nostalgji për të shkuarën, e kësisoj rreptësisht mohuan dogma të së shkuarës në arkitekturë, duke ndaluar dhe mësimin e historisë së arkitekturës në Bauhaus, duke krijuar në një farë forme ironie, një dogmë të re, të cilën duhet ta zhbënte postmodernizmi. Deri diku neomodernizmi, pikërisht për këtë arsye, shndërrohet një një ironi postmoderniste të modernizmit.

Trashëguar nga kjo trajektore kritike arti e arkitekture ndërshekuj, nostalgjia si fenomen ka hasur, nën petkun e racionalitetit, një mohim e paragjykim tejet irracional, dhe në të shumtën e rasteve, të huazuar nga koncepti politik e social i nostalgjisë, i cili, në ndryshim nga bota e artit e arkitekturës, ku nostalgjia shërben si pikënisje për të prodhuar gjithsesi të renë më të kultivuar dhe bazament më të fortë, si në rastin e transmodernizmit, në politikë e shoqëri është më e vështirë të perceptohet si pikënisje e re. Në shoqëri, nostalgjia kritikohet në plan politik si dukuri e frikshme që po rikthen fantazmat e fashizmit në jetë, e në aspekt më pak të frikshëm e më shumë naiv “mall për diçka që s’e ke përjetuar”, ku përshembull ironizohen dëshirat e një gjeneratë për analog, muzikë e kinematografi, estetike të një periudhe kohe të idealizuar, të cilën “millenials” s’e kanë përjetuar në radhë të parë. Ironia e kësaj dukurie duhet analizuar a përbën autenticitet në mungesën e autenticitetit të saj, dhe a përbën rrezik, kur zbardh periudha të caktuara kohore nga problemet e tyre specifike.

“Malli për diçka që s’e ke pasur asnjëherë”, në fakt, nuk është fenomen i ri i këtij shekulli. Jo larg në kohë, një ndër rrymat më “të frytshme në inovacion” të Perëndimit, ka lindur pikërisht si nostalgji e një kohe të pajetuar. Klasicizmi, për të ideuar një botë të re, kulturë e sistem të ri, udhëtoi me mijëvjeçarë, në kërkim të një kulture që klasicistet as e panë, as e përjetuan, por justifikuan dhe e shpallën bazë të një filozofie të re, kulturën greko-romake. Është mbase e tepërt, ose shumë herët të thuhet, por mbase arti dhe kultura sot në botë po përjeton një situatë të ngjashme, të frymëzimit nga e shkuara me qëllim tejkalimin e saj. Problemi me nostalgjinë në fakt, nuk qëndron as në tejkalimin e saj me një filozofi të re si kusht i domosdoshëm, por në humbjen e trajektores në kërkim të vlerave që huazohen prej saj, lindur kjo si pasojë e mosnjohjes në thellësi të saj.

Nqs në shoqërinë e sotme, mbingopja me aktualen lidhet me rritjen e pasigurisë profesionale e financiare të kësaj gjenerate që pas 2008, rritjen e vetmisë, depresionit, ankthit te brezi i ri, ngecja e teknologjisë në progres të papërfillshëm që nga fillimi i këtij shekulli, etj, në arkitekturëe ndërtim, kjo mbingopje u përkthye me pakënaqësi të përgjithshme ndaj arkitekturës moderne, qytete të zhurmshëm e të pajetueshëm, krizë në sektorin e ndërtimit, rritje të vështirësive për të siguruar banim etj. Si pasojë e kësaj mbingopje, arkitektura momentale po përjeton një pauzë modeste, reflektim njëshekullor, duke mbledhur copëza të një shekulli eksperimental, për të rindërtuar filozofinë e vetes. Dhe deri këtu, çdo gjë shkon më së miri, derisa analizohet mënyra e publikimit të një projekt ideje arkitekture nostalgjike, si pamjet vizuale, renderat, kolazhet.

Nisur me të njëjtën mënyrë analize si më sipër, është aspak jo e vështirë të kuptohet pse mënyra standarde e paraqitjes së një projekti, që pas dixhitalizimit të profesionit, ka shkaktuar mbingopje. Imazhi i një projekti ende të parealizuar, në çfarëdolloj periudhe kohore, më shumë sesa për të treguar versionin “hiperrealistik” të objektit,  ka shërbyer për të ndarë një vizion, shije, koncept, të pashpjegueshëm me fjalë, nëpërmjet përkthimit dydimensional të një ideje 3D (qoftë dhe Palladio në Rilindje). Kësisoj dhe imazheve “fotorealistike” automatikisht iu mbivendosën nocione sociale, të vijëzonin një koncept arkitektonik. Në momentin që këto nocione sociale shteruan së qeni të tilla, shteroi dhe kjo mënyrë prezantimi. Imazhi i një burri të vetmuar në një faqe xhami në një kullë, si dhe imazhi i një gruaje me fustan të kuq, afër një fotografi, afër një fëmijë me tullumbac, afër një ndërtese në cep të së cilës lart fluturojnë një tufë zogj, nën një kënd të mirëpërcaktuar rrezesh dielli, mbase sot janë të konsumuara, ose të paktën jorealiste, dhe jo të dëshiruara në abstraksionin e tyre.

Kolazhet, në emërtimin e tyre, janë më të sinqerta, duke parashtruar faktin se imazhi që paraqitet është jo real, por dëshirë, një ideal i mbivendosur në një objekt arkitektonik, që i rijep domëthënie konceptit të objektit. Si prezantim dëshire, dhe jo reale, kolazhet janë nostalgjike, në teknikë e domëthënie, duke risjellë një shkallë më njerëzore, fokus te materialiteti, natyra, kompozimi etj. Si pasojë e mbingopjes nga e sotmja, kolazhet përdorin nostalgjinë, si formë komunikimi të një ndjesie, që rrethanat sociale sot, e bëjnë më pak të deshifrueshme, por e gjithë kjo, shpeshherë bëhet në mohim të rrethanave sociale të asaj periudhe që idealizohet. Është e kuptueshme deri diku, që një kuzhinë e viteve 50të me një vakt të sapogatuar është më joshëse se imazhi i një darke të porositur, imazhi i një xhentëllmeni që flirton me gruan e tij, së cilës i shndërrisin sytë në krahët e bashkëshortit është sërisht më joshës, le të themi, se imazhi i një çifti modern me vakt të porositur duke parë tv shows. E mbase imazhet e viteve 50të janë më joshëse, sepse edhe pa qenë të vetëdijshëm mbi prapaskenat, paraqesin dhe shesin një realitet, në të cilin problemet e sotme të kësaj gjenerate nuk ekzistojnë, por janë të zgjidhura më mirë se në çdo periudhe pas saj, duke u nisur që nga sektori i ndërtimit, punësimi, familja etj.

Por duke kërkuar pak me thellë, këto imazhe të idealizuara sot në kolazhe, përbëjnë disa nga problemet më madhore të shoqërisë dhe sot, të trashëguara e të luftuara, e të pamposhtura që prej asaj kohe. Vitet 50të, në historikun e shekullit të kaluar, sidomos në ShBA, përbëjnë etapën e fundit të segregimit, racizmit, seksizmit të institucionalizuar, e të pavënë me shpatulla mbas muri. Do të duheshin dy-tri dekada protestash e organizimesh për të cënuar sadopak status-quonë e viteve 50të. Do të duhej rënia e Murit të Berlinit, që kjo frymë të vinte dhe në Europën Lindore, përfshi Shqipërinë. E duhet ende shumë kohë për të çliruar shoqërinë nga ato ideale, që e mbajnë mbrapa sot, ideale që ishin korniza e viteve 50të. Imazhi i një kuzhine të viteve 50të, me darkë gati dhe gruan e zbukuruar duke pritur bashkëshortin xhentëllmen nuk është më joshës, nqs mendohet për gruan e papunë e shtëpiake, pa asnjë lloj garancie e autonomie. Imazhi i gruas së magjepsur nga bashkëshorti i kollarisur, nuk është më joshës, kur mendohet segregimi racor dhe seksist në tregun e punës, marketingu misogjen i viteve 50të, dhe mungesa e barazisë gjinore në çdo aspekt të një raporti martesor.

Mbase dhe klasicistët, kur udhëtuan pas në kohë për të gjetur rrënjët, gjetën domosdoshmërisht një qytetërim jo të pametë, por, sidoqoftë, gjetën një qytetërim, problemet e së cilit nuk implikonin më Europën. Nostalgjia përbën deri diku një hallkë të domosdoshme të zhvillimit historik të shoqërisë, por gjithnjë kur është e shëndetshme dhe e kujdesshme për të mos bërë marketing mbi marketingun e një problemi social që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Arkitekturë

Çfarë është arkitektura kinetike?

Published

on

Dizajni kinetik është bërë një pjesë thelbësore e zhvillimit arkitektonik, nga shpikja e urave të lëvizshme në Egjiptin e lashtë deri te dhomat rrotulluese në shtëpinë e Sharifi-ha. Megjithatë, si arritëm nga kjo në këtë? Për të kuptuar konceptin e arkitekturës kinetike, le të hedhim një vështrim më të thellë në origjinën e saj.

“Kinetic” rrjedh nga fjala greke kinētikos, që do të thotë “lidhur me lëvizjen muskulare”, ndërsa përkufizimi arkitektonik është koncepti “lejimi i pjesëve të një strukture të lëvizin, pa zvogëluar integritetin strukturor”. me fjalë të tjera, është arkitekturë në formën e një trupi në lëvizje.

Një nga format më të hershme të arkitekturës kinetike është tenda e beduinëve, e përdorur në Afrikën e lashtë. Kjo strukturë elastike ftohëse është e adaptueshme ndaj klimës së shkretëtirës dhe urës së lëvizshme, një mekanizëm mbrojtës i zhvilluar në Egjipt dhe më vonë i përdorur zakonisht në shekullin e 15-të.

Megjithatë, arkitektët filluan të pranojnë konceptin e Arkitekturës Kinetike vetëm në fillim të shekullit të 20-të. Shembuj janë vizatimet e Yakov Chernikhov në Fantazitë arkitekturore dhe koncepti i pandërtuar i Thomas Gaynor për Ndërtesën Rotary në 1908, megjithatë këto botime ishin ende thjesht teorike.

Një projekt që u ndërtua ishte Villa Girasole nga inxhinieri i Marinës Angelo Invernizzi. E ndërtuar në vitin 1935, ajo është një shtëpi rrotulluese që ndjek lëvizjen e diellit për të maksimizuar nxehtësinë dhe dritën në brendësi. Girasole, e cila në italisht përkthehet në Luledielli, ndodhet në një bazë rrethore me diametër 44 metra dhe është një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore e ndërtuar gjatë epokave të arkitekturës funksionaliste dhe futuriste.

Më vonë në shekullin e 20-të, arkitektët e zhvendosën fokusin e tyre në arkitekturën kinetike. Teori të tilla si Manifesti i Arkitekturës Mobile të Yona Friedman dhe Planifikimi Hapësinor i Qytetit, Pallati i Argëtimit të Cedric Price dhe Qyteti Plug-in i Peter Cooke u botuan. Megjithatë koncepti i arkitekturës kinetike u prezantua për herë të parë në vitin 1970 nga William Zuk, i cili botoi librin Kinetic Architecture. Kjo tërhoqi më tej interesin për konceptin kinetik ndërsa u zhvilluan shkenca kompjuterike dhe teknologjitë e ndërtimit.

Shembuj të tjerë përfshijnë shtëpinë Sharifi-Ha, e cila siguron vëllime banimi që rrotullohen për t’u kthyer në tarraca në verë dhe mbyllen në dimër, dhe Muzeu i Artit Milwaukee, me mburojën e tij të lëvizshme të diellit, i përbërë nga 72 pendë çeliku që palosen dhe shpalosen. sipas kohës së ditës, dhe Kulla Al Bahar, me një fasadë që ndjek lëvizjen e diellit për të çuar panelet e tekstilit me fije qelqi në formë ylli të hapen dhe mbyllen, duke mbrojtur banorët nga nxehtësia dhe shkëlqimi diellor.

Ka shumë shembuj të tjerë që shfaqin mundësitë e pafundme të arkitekturës kinetike, por në fund të fundit, dizajni kinetik ka ndikuar në ndërtesa në parametra të tillë si koha, moti, energjia dhe nevojat njerëzore që nuk janë statike, por më tepër dinamike. Si rezultat, dizajni kinetik i lejon ndërtesat të zhvillojnë sisteme komplekse që u përgjigjen nevojave të tyre të veçanta./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Rizhvillimi “i shëmtuar” në Liverpool, fiton çmimin për ndërtesën më të keqe të Britanisë

Published

on

Rizhvillimi i Lime Street në Liverpool nga studio britanike Broadway Malyan është emëruar ndërtesa e re më e keqe në vend në Kupën Carbuncle të këtij viti.

Organizuar nga revista e Mbretërisë së Bashkuar The Fence, gjyqtarët zgjodhën rizhvillimin e Lime Street si “ndërtesën e re shumë të keqe në Britani”, që kur konkursi u zhvillua për herë të fundit në 2018.

“Që nga shikimi i parë, dy nga paneli ynë e kishin këtë si përzgjedhjen e tyre numër një, dhe ndërsa lista e gjatë u ngushtua në një listë të ngushtë, kjo pjesë e tmerrshme e fatkeqësisë arkitekturore vazhdoi të qëndronte jashtë,” tha The Fence në njoftimin e çmimit.

Përfunduar në vitin 2019, dizajni i rizhvillimit të Broadway Malyan përmban panele metalike të gdhendura që përfshijnë një fasadë të rrugës që çon nga stacioni i trenit Liverpool Lime Street.

Panelet e gdhendura përshkruajnë ndërtesat shekullore që u shkatërruan për t’i hapur rrugë rizhvillimit, i cili tani përmban një hotel dhe strehim studentësh.

I ringjallur nga The Fence për vitin 2024, Carbuncle Cup synon të identifikojë ndërtesat më të këqija të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u drejtua çdo vit midis 2006 dhe 2018 nga revista e arkitekturës Building Design (BD)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Arkitektura e kontrollit: Peizazhet e çuditshme postmoderne të Koresë së Veriut

Published

on

Rrokaqiejt postmodern bashkëjetojnë me monumente socialiste në shtetin e izoluar. Shumë prej fotografive janë të publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve dhe nuk kanë datë se kur janë bërë.

Ndërtesat e larta e shumëngjyrëshe shihen përreth një monumenti të vjetër në Phenian në Korenë e Veriut, 11 shtator 2018, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pamje gjatë natës e distriktit Songhua në lindje të Phenianit, në Korenë e Veriut. Fotoja është publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), por nuk ka datë se kur është bërë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një zonë të zhvilluar banimi në rrethin Huaseong në Korenë e Veriut, në këtë foto të publikuar më 6 prill 2024 nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA.

Pamje e përgjithshme gjatë ceremonisë së hapjes së Fermës së Serës Ryonpho për të shënuar përvjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet, në Korenë e Veriut, në këtë foto pa datë, e cila u publikua më 11 tetor 2022 nga KCNA-ja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending