Connect with us

Aktuale

Mbi 6 milionë euro për shpëtimin e kullave të Jasharëve

Published

on

Gjendja e kullave të familjes Jashari vazhdon të jetë e rëndë. Simbolet e rezistencës së luftës për liri po rrezikojnë të shemben, gjersa janë në pritje të konservimit final për ruajtjen e tyre.

Këtë punë e ka marrë përsipër një komitet ndërministror, derisa Ministria e Financave ka paraparë ndarjen e mbi 6 milionë eurove për tre vjetët e ardhshme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

3 milionë euro ndahen sivjet, 2 milionë euro vitin e ardhshëm dhe 1 milion euro më 2021-n

Së fundmi Qeveria e Kosovës ka formuar Komitetin Ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari”, të cilin e udhëheq zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, por pjesë e këtij Komiteti është edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari. Komiteti po ashtu përbëhet prej disa ministrive e institucioneve që gjithsej janë pesëmbëdhjetë.

Nga Ministria e Financave thonë se përkrahja financiare për Kompleksin e Jasharëve në Prekaz nuk ka munguar asnjëherë. Nga zyra për komunikim me medie bëjnë të ditur se vetëm për vitin 2019 për këtë kompleks janë ndarë 3,000,000 euro.

“Ministria e Financave gjithmonë u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të organizatave buxhetore, të cilat menaxhojnë me mirëmbajtjen e komplekseve memoriale e në këtë rast edhe me Kompleksin Memorial të familjes Adem Jashari. Në frymën e kësaj gatishmërie me Ligjin e Buxhetit për vitin 2019 është buxhetuar shuma prej 3,000,000 eurosh për vitin 2019 vetëm për projektin: ‘Kompleksi memorial ‘Adem Jashari’’, Prekaz, Skenderaj. Po ashtu edhe për vitin 2020 janë 2,000,000 euro dhe për vitin 2021 janë të vlerësuara 1,115,000 euro. Në rast se paraqitet nevoja për mjete shtesë Ministria e Financave do të shpërndajë sipas kërkesës aq sa kërkohen mjete shtesë jo vetëm më 2019-n, por edhe në vitet vijuese”, ka thënë për gazetën “Zëri” Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave.

Shahini ka thënë se menaxhimi i mjeteve është nën përgjegjësinë e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, e cila është kompetente për veprimet e mëtutjeshme. “Edhe një herë, sa i përket mjeteve janë të ndara, por nëse ka nevojë për më shumë mjete Ministria e Financave do të aprovojë kërkesën për mjetet shtesë aq sa kërkohen”, përfundoi Shahini.

Nevoja për intervenim është e menjëhershme

Përderisa emergjenca për të bërë diçka për ruajtjen e këtyre kullave, që janë simbol i rezistencës së familjes Jashari është e dukshme, Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe pasardhës i kësaj familjeje, ai shprehet se vetëm “Zoti dhe natyra po i ruan këto kulla nga shembja”. Sipas tij, nga paslufta në Kompleksin e Jasharëve është investuar, por për të qenë i sinqertë thotë se është investuar mbrapsht.

“E para, është dashur të investohej në konservimin e kullave që të mos lihen të rrënohen më shumë e që rreziku është i madh nga dita në ditë, por kanë filluar nga rregullimi i varrezave”, thotë Jashari duke rikujtuar se para se të jenë nën kujdesin e Agjencisë për Memoriale ky kompleks ka qenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.

Megjithatë Jashari është optimist se rregullimi do të bëhet me standarde, me projekte, të cilat i fitojnë njerëzit të cilët janë profesionalisht të përgatitur në drejtimin e konservimit, të ruajtjes dhe të ndërhyrjeve tjera.

Para disa muajve është kumtuar lajmi se ciceroni, i cili ka shpjeguar për shumë vjet në Kompleksin e Jasharëve, ka ndërruar jetë. Bekim Jashari njofton se tani ka dy ciceronë të tjerë dhe një punëtor që rri në ambientet ku janë të ekspozuara sendet e familjes. I pari i Skenderajt vlerëson se punësimi i stafit aty duhet të bëhet me standarde, si p.sh punësimi i ciceronëve të kualifikuar që flasin gjuhë të huaj dhe e njohin punën të cilën e bëjnë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë.

“Si kryetar Komune dhe si anëtar i Komitetit Ndërministror për Kompleksin e Jasharëve mund të them se përfundimisht janë në rrugë të mirë një herë, porse çka bëhet më vonë nuk e di dhe vullneti nuk mungon e fjalët janë të paktën që të veprohet”, përfundon kështu Jashari.

Në anën tjetër Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, ka njoftuar se si pjesë e Komitetit Ndërministror kanë mbajtur tri takime, në të cilat është diskutuar se si do të veprohet rreth organizimit, kërkesave për projektin për konservim dhe për restaurim të shtëpive të rezistencës.

Ai thotë se ky projekt ka marrë kohë, por në takimin e fundit është vendosur që të konsultohen me kompanitë kompetente ose me organizatat të cilat lidhen me këtë veprimtari dhe njëri nga anëtarët që është me profesion arkitekt të kontaktojë në kompanitë që posedojnë ekspertë të këtij lëmi.

“Besoj se shumë shpejt brenda javës tjetër do të kemi një raport, një kompani për këshillime, shumë shpejt do të veprojmë për hartimin e projektit të gjithmbarshëm ‘Adem Jashari’”, deklaroi ai.

Sipas Zogajt, nuk mund të themi se nuk është investuar ose shteti nuk ka bërë asgjë për këtë kompleks. Ai vlerëson se shteti gjithmonë ka pasur parasysh dhe ka investuar, por prioritet nuk kanë qenë në nivel.

“Sipas meje, investimi i parë është dashur të bëhet në konservimin e shtëpive dhe jo në objekte përcjellëse. Por megjithatë kullat përderisa kanë qëndruar deri më tash, nuk do të na gjykojë koha deri në projektin që do ta bëjmë, sepse ky projekt do të bëjë shumë më shumë sesa projektet tjera për këtë çështje. Mendoj se do të jetë një projekt më i mirë, më i qëndrueshëm, që do t’i qëndrojë kohës, por edhe do t’i plotësojë kriteret e kërkesat e kohës”, konstaton Zogaj.

I pyetur se a do t’i rezistojnë kohës kullat e Jasharëve sikurse i kanë rezistuar luftës, Zogaj vlerëson se edhe pse nuk është investuar mjaftueshëm dhe janë në gjendje jo të mirë, do të arrijmë që ta ruajmë këtë memorial e do të ketë një projekt të dinjitetshëm, i cili do t’i prezantojë vlerat, sakrificën e popullit shqiptar.

“Shteti ka investuar, por nuk ka caktuar prioritete. Sivjet do të fillojmë restaurimin për shpëtimin e kullave, kurse projekti do ta arsyetojë vonesën në kohë. Komiteti Ndërministror është themeluar kah muaji shkurt, ky komision është paraparë me ligjin, i cili është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ligji është aprovuar në dhjetor dhe ka hyrë në fuqi kah janari. Ligji i Veçantë për Kompleksin ‘Adem Jashari’, në kuadër të këtij ligji është paraparë të themelohet edhe Komiteti Ndërministror, do t’i zhvillojë procedurat për hartimin e projektit të përgjithshëm dhe jo vetëm për konservimin”, ka njoftuar Bislim Zogaj, duke shtuar se shpreson të fillojë restaurimi, por nuk zotohet se përfundon këtë vit ngase procedurat në restaurim janë të ngadalshme dhe marrin kohë.

Qasja serioze ndaj monumenteve po mungon

Sali Shoshi, drejtor i zyrës “Cultural Heritage Without Borders” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) në Kosovë, ka vlerësuar se nga ajo çfarë ka parë në terren gjendja është shumë e keqe dhe është e pafalshme ajo që ka ndodhur për një kompleks, i cili ka aq vlera dhe aq simbolikë.

“Nuk është se kjo është diçka që është e patrajtueshme. Ka ekspertizë të institucioneve ndërkombëtare që të konservohet një kompleks çfarë është ai i Jasharëve, por shihet se nuk ka pasur një qasje serioze prej Qeverisë së Kosovës e as prej Parlamentit të Kosovës”, thotë Shoshi.

Ai konsideron se institucioni i cili merret me monumentet e luftës së fundit është institucion që është krijuar koti, për faktin se nuk ka parë që është bërë diçka serioze në këtë fushë, as në mirëmbajtje, as në restaurim e as në menaxhim. Shoshi vlerëson se është e pafalshme, ngase 20 vjet pas luftës nuk po mbrohen simbolet e rezistencës dhe nuk ka pasur gatishmëri të merren me këtë çështje.

Drejtori i CHWB-së thotë se megjithëse ka kaluar shumë kohë prapë më mirë të zgjidhet vonë se kurrë ky problem.

“Çështja është serioze. Nënkupton se duhet një ekip i profesionistëve, i cili do të kishte analizuar gjendjen që është sot dhe t’i parashohin masat që duhet të ndërmerren për të intervenuar. Do të duhej të bëhej një pjesë e ekipit profesional për ta bërë një ekip tjetër, i cili do të bëjë njëfarë vizioni, qasje, aspekt të interpretimit, të informacionit, jo veç shpëtimi i ndërtesës, por edhe mënyra se si të funksionohet”, konstaton Shoshi.

Ai tutje thotë se duhet llogaritur që të krijohet një hapësirë e mundësi për fluksin e njerëzve që shkojnë atje dhe të ketë informacion të mjaftueshëm. E sipas Shoshit, është dashur që në mënyrë shumë të disiplinuar të trajtohet puna, por qasja serioze mungon.

Në anën tjetër, sipas historianit Bedri Muhadri, Memoriali i Jasharëve si monument personifikon specifikën e tërësishme të gjenezës së lirisë së Kosovës.

“Memoriali si monumet i trashëgimisë historike personifikon specifikën e tërësishme të gjenezës së lirisë së Kosovës. Memoriali tregon rrugën e vështirë për t’u organizuar ushtarakisht në atë kohë, ku vepronin 30000 forca policore serbe pushtuese, që vepronin kundër përpjekjeve shqiptare për liri”, thotë Muhadri.

E kur flet për rëndësinë që kanë pasur si familje në aspektin historik, Muhadri thotë se duhet kujtuar edhe kohën që është dashur brenda mureve të shtëpive Jashari, me vetëdije të lartë për rreziqet fatale, të lindë shpirti kombëtar, i cili nuk shuhet sot e mot. Sipas Muhadrit, përderisa nuk shuhet edhe sot vlera e këtij shpirti, do të duhej t’u kushtohet kujdes të veçantë kullave të Jasharëve.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending