Aktuale
Mbi 4 milionë euro për asfaltimin e segmentit të pestë në rrugën Podujevë-Prishtinë

Projekti për asfaltimin e segmentit të pestë që po bëhet në kuadër të zgjerimit të rrugës Podujevë-Prishtinë është duke u implementuar në afat të caktuar, kështu të paktën po deklarohen drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës.
I pari i këtij dikasteri Pal Lekaj bashkë me bashkëpunëtorët e tij kanë inspektuar punimet që po bëhen atje.
Ministri Lekaj, deklaroi se projekti është duke u implementuar në afat të caktuar, pas të gjitha ndryshimeve që janë bërë në projektin e 2015-tës, duke evituar gabimet e gjetura në projekt.
E asfaltimi i segmentit në hyrje të Podujevës do të përfundojë brenda 7 ditëve. Projekti në tërësi kap shumën e mbi 9 milionë eurove, ndërsa vetëm projekti i segmentit të pestë kalon shumën e 4.5 milionëve, përcjellë Ndërtimi.info
“Projekti në tërësi ka kosto mbi 9 milionë euro, kurse segmenti i pestë që po asfaltohet sot ka kosto mbi 4.5 milionë euro dhe kjo rrugë u’a mundëson qytetarëve dhe bizneseve qarkullimin e lirë. Podujeva e meriton këtë përkushtim tonin, sepse kanë dhënë shumë për këtë vend”, tha pos tjerash ministri Pal Lekaj.
Për këtë Lekaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve duke thënë se ka pengesa aty ku punohet.
Ministri Lekaj ka inspektuar edhe segmentet tjera të kësaj rruge, me ç’rast kërkoi nga kompanitë që t’i respektojnë afatet kohore dhe standardet e punimeve ashtu siç kërkohen me kontratë.
Ai tregoi se janë shtuar edhe shiriti ndihmës, bashkë me stacionet e autobusëve, që ishte kërkesë e qytetarëve.
