Featured
Mbi 3 milionë euro për Komunën e Deçanit nga MMPH-ja

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka vizituar komunën e Deçanit, me ç’rast ka nënshkruar katër memorandume mirëkuptimi me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Kjo komunë do të përfitojë 3 milionë e 580 mijë euro për disa projekte kapitale. Reshitaj deklaroi se këto memorandume mundësojnë realizimin e disa projekteve që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Deçanit.
“Janë ndarë 3 milionë e 580 mijë euro për disa projekte kapitale përfshirë, Ujësjellësit në fshatin Strellc, kanalizimi në Deçan, ujësjellësi që do të furnizojë 10 fshatra dhe shtrati i lumit Lumbardh. Këto projekte janë vetëm fillimi i asaj çfarë mund të bëjmë për Deçanin, që ka qenë i lënë anash me projekte në të kaluarën”, tha Reshitaj.
Ajo veçoi edhe mbështetjen financiare për rregullimin e shtratit të lumit Lumbardh të Deçanit në vlerë prej 3 milionë euro ku për këtë vit janë ndarë 500 mijë euro. Kurse, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, falënderoi ministren për këto projekte madhore për Deçanin. “Këto janë projekte thelbësore për komunën tonë”, theksoi Ramosaj.
Reshitaj e shoqëruar edhe nga Ramosaj vizituan Grykën e Deçanit, për të parë për së afërmi degradimin e shtratit të këtij lumi. “Jemi duke vëzhguar se çfarë mund të bëjmë më shumë për disa degradime të lumit “ Lumbardh” të Deçanit”, theksoi në fund ministrja.
